PS vendos në parlament: Nuk ka hetim për emrat e biznesmenëve të investimeve strategjike!

Nga Lindita Kokoli-

Sot debatet në parlament ishin në lidhje me krijimin e një komisioni hetimor parlamentar kërkuar nga PD për “investimet strategjike”.

Por kjo u rrëzua nga mazhoranca duke gjetur një justifikim se në asnjë parlament të këtyre viteve nuk është bërë një kërkesë e tillë.

Po çfarë kishte në thelb kërkesa e PD?

Qeveria ka miratuar një ligj dhe nxjerrë disa vendime qeverie e KKRT-je, ku jep zona të mëdha toke, sidomos buzë detit, pronarëve të caktuar të cilët paraqesin projekte për investime të mëdha në dhjetra milionë euro. PD dyshon se pas këtyre projekteve fshihen anëtarë të qeverisë apo zyrtarë të lartë.

Kur ka “investime strategjike” siç i quan qeveria, atëhere marrin qindra apo mijëra hektarë falas nga shteti me kushtin që të ndërtojnë resorte turistike apo projekte në fushën e turizmit. Dhe kur vlera e projektit është më e madhe se vlera e tokës së marrë nga qeveria si “investitor strategjikë”, ata nuk paguajnë më dhe toka kalon pasuri e biznesmenit apo grupit investues.

Por grupi parlamentar i PS e rrëzoi krijimin e këtij komisioni hetimor parlamentar.

Taulant Balla tha se “Grupi parlamentar i PD ka më shumë nevojë për të mësuar rregulloren. Në Konferencën e Kryetarëve debati që është bërë për këtë çështje ishte i qartë. S’të bën nder të ndërhysh, se je sekretar i PD-së. Ta sqaroj unë (i drejtohet Gazmend Bardhit): Ka dy vlerësime, aspekti i përmbushjes së formës dhe karakterit formal të kërkesës. S’doja ta zhvilloja këtë debat me ju. S’ka ndodhur në Kuvend që të marrësh firma nga një kërkesë të rrëzuar dhe me të njëjtat firma të sjellësh një kërkesë të re. Kjo është përpjekje për falsifikim. Firma është një shprehje vullneti që shprehet një herë. Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transferosh në dokumentin tjetër. Aty ishin shtuar dy firma të reja për një dokument të ri. Si mund t’ju besojnë juve qytetarët kur kërkoni zbatimin e ligjit dhe e nisni kërkesën tuaj me shkelje ligji”, tha Balla.

Dhe më tej shefi i deputetëve të PS shtoi se “S’ka ndodhur kurrë kur këtu ishte Pjetër Arbnori, Skëndër Gjinushi, Ilir Mreta, Gramoz Ruçi. Është detyrë e kryetarit të Kuvendit që të vendosë nëse kërkesa plotëson kushtet. Me vjen shumë keq që e zhvilloj këtë debat me ju, mendova se e përmbyllët këtë kërkesë në Konferencën e kryetarëve. Mblidhni firmëtarët dhe natyrshëm; hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale. A i përmbush kërkesa kushtet? Jo, se janë plotësuar firmat, se është ngritur Luli nga gjumi dhe ka ardhur. Jo, kërkesën bëjeni nga fillimi”- e mbylli Balla vendimin e mazhorancës ndaj krijimit të komisionit hetimor parlamentar.

Por ka reaguar Enkelejd Alibeaj, deputet i PD: “Nuk ka qenë në rendin e ditës kjo pikë deri para 5 minutash. Ka disa rregulla si futet një çështje në rendin e ditës së seancës. Ju hodhët në votim një çështje pa kërkesë, vendosët mos të futet në rendin e ditës. Keni bërë një gjë me mënd në fakt se kjo çështje kërkon diskutim nga ne që e propozuam. Deputetët duhet të përgatiten. Kështu që ne nuk e kuptojmë këtë ngutjen tuaj. Ne duam ti jepet mundësia të gjithë deputetëve sepse është një çështje që u përket qytetarëve. Të drejtën për diskutim nuk mund të na e hiqni” – theksoi deputeti demokrat. Pra PD-ja nuk e ka kërkuar për sot në rendin e ditës, por e ka futur shpejt e shpejt PS-ja që ta rrëzojë dhe me pas duhen afro 6 muaj që të rikërkohet, sipas rregullores së Kuvendit, kur me votim bie një kërkesë e një grupi parlamentar.

Mjeshtria ka të bëjë se PS-ja nuk priti nga PD disa modifikime në kërkesën e saj, por ia votoi duke e rrëzuar.

SHKARKO APP