Pse u var 22-vjeçari në burgun e Rrogozhinës/ Nëna në lot: Mezi e kam rritur, vuajmë për thesin e miellit! (Foto)




Gazetari Jualian Kasapi ishte në shtëpinë e tyre, ndërsa bën të ditur për BalkanWeb se familja Halili nga fshati Kolonjë i Lushnjës jetonte në një shtëpi modeste, në kushte të vështira ekonomike, ndërsa përveç Estrefit kanë edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë.
Mes lotësh nëna dhe motra e tij nuk mund të flasin shumë. Ajo thotë se djali i saj nuk merrej me trafik droge.
“Ma morën të gjallë, pse nuk ma sjellin të gjallë. Djali im nuk merrej me gjë, mezi e kam rritur! Ne mezi sigurojmë thesin e miellit”,- thotë ajo mes lotësh.

Ndërsa i ati thotë se i biri nuk ishte trafikant, por vetëm përdorues, dhe shton ta ketë kryer këtë akt në gjendje të rënduar psikologjike.

“Edhe para 3 vjetësh u kap me 3 gramë kanabis, që e pinin shokët. Për këtë bëri 2 vjet e gjysmë burg. U lirua në shkurt, por e kapën sërish me një cigare hashash. U arrestua sërish në datë 22 dhjetor, dhe në 7 e dërguan në Rrogozhinë”.
I shokuar nga kjo që ka ndodhur, familjarët kërkojnë që drejtësia të zbardhë sa më parë shkaqet që e shtynë të riun drejt vetëflijimit, pasi sipas tyre, Estrefi nuk kishte konflikt,e ishte tip i urtë dhe i shoqërueshëm dhe se nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme.
/BW

