Punësimi dhe riintegrimi i të dënuarve, Drejtoria e Burgjeve marrëveshje me bashkitë e qarkut Kukës
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve hedh një hap të rëndësishëm për të ndihmuar të dënuarit që të riintegrohen në shoqëri, duke i mbështetur për të gjetur punë dhe për të kontribuar si për familjet e tyre, ashtu edhe për komunitetin.
Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, kryetari i bashkisë Kukës, Albert Halilaj, kryetari i bashkisë Has, Miftar Dauti, dhe nënkryetarja e bashkisë Tropojë, Rinisa Osmanaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon krijimin e mundësive për punësim pas përfundimit të vuajtjes së dënimit, duke reduktuar hapësirat për t’u rikthyer në rrugën e paligjshmërisë.
Përmes saj do të sigurohet referimi i rasteve në nevojë për ndërhyrje nga Shërbimet Sociale të bashkive përkatëse dhe partnerëve strategjikë, duke u ofruar mbështetje dhe lehtësuar përfshirjen e tyre në shoqëri.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe përmirësimit të shërbimeve për individët që kërkojnë mbështetje për t’u integruar në komunitet.
“Sot në Kukës, së bashku me kryetarët e tri bashkive – Albert Halilaj Faqja Zyrtare (Kukës), Miftar Dauti (Has) dhe Rinisa Osmanaj (Tropojë) – nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për riintegrimin e personave në konflikt me ligjin”, shkruan Qose në rrjetet sociale.
“Kjo marrëveshje ka si qëllim referimin dhe trajtimin e rasteve në nevojë përmes Shërbimeve Sociale të bashkive dhe partnerëve strategjikë, duke u ofruar mbështetje konkrete për integrimin e tyre në shoqëri.
Faleminderit për angazhimin dhe bashkëpunimin e sinqertë të të gjithë aktorëve të përfshirë! Bashkë mund të ndërtojmë një jetë më të mirë për personat që i rikthehen jetës në komunitet”, përfundon postimi i Qoses në rrjetet sociale.