“Punoj pa pushim, fle pak”, Rama rrëfen përballë Tik-Tokerit të njohur jetën dhe aleatët ndërkombëtarë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë ndryshe me influencerin dhe sipërmarrësin Max Klymenko gjatë samitit të NATO-s, ku ka folur jo vetëm për çështjet politike, por edhe për jetën personale, pasionet dhe raportet me liderët ndërkombëtarë.

Klymenko, i njohur për intervistat e tij të shkurtra me figura publike, i drejtoi Ramës pyetje mbi sfidat e drejtimit të vendit, mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe rrugëtimin europian të vendit.

I pyetur për pjesën më të vështirë të detyrës si kryeministër, Rama u përgjigj se sfida kryesore është “të mos çmendesh”, ndërsa si pjesën më të preferuar të punës veçoi momentet kur vendimet sjellin përmirësime për qytetarët.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sa i përket kërcënimeve për Shqipërinë, Rama tha se sfida më e madhe janë vetë shqiptarët, duke theksuar nevojën për më shumë punë dhe përkushtim në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë intervistës, kryeministri foli edhe për ritmin e tij të jetës, duke zbuluar se fle mesatarisht rreth pesë orë në ditë, ndonjëherë edhe më pak.

Në lidhje me marrëdhëniet me liderët e huaj, Rama përmendi si më të afërt raportin me kryeministren italiane Giorgia Meloni, ndërsa tregoi se me Mark Rutte, ish-kryeministrin holandez dhe aktualisht sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ka pasur një marrëdhënie fillimisht sfiduese që më pas u shndërrua në miqësi.

Rama kujtoi gjithashtu periudhën kur ka qenë artist, pasionin për basketbollin dhe faktin se ka luajtur edhe me ekipin kombëtar, duke theksuar se gjatësia ishte një nga arsyet që e ndihmoi në këtë sport.

Në fund të intervistës, ai u pyet për një këshillë për të rinjtë, por tha se nuk preferon t’u japë këshilla, duke kujtuar se edhe vetë nuk i ka pritur mirë ato kur ishte i ri.

Max Klymenko është një influencer ukrainas me bazë në Londër, i njohur për serinë “Career Ladder” në TikTok dhe YouTube, si dhe për përmbajtjet mbi biznesin, ekonominë dhe çështjet globale.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?