“Qeveria nis programin Dyfisho ndërmarrjen”, mbështetje e re për bizneset e vogla”
“Dyfisho ndërmarrjen tënde” është një program i ri që po përgatitet nga qeveria, me synim mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme që synojnë zgjerimin e aktivitetit, por përballen me vështirësi financiare për ta realizuar këtë hap.
Kryeministri e prezantoi këtë nismë gjatë episodit të së dielës të podcastit “Flasim”, me titull “S’ka si Shqipëria”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të sipërmarrjeve shqiptare të suksesshme që operojnë brenda dhe jashtë vendit. Mes tyre ishin biologja Nerta Tushe në fushën e kozmetikës, Argjent Goci me fokus te makinat elektrike dhe Marjus Myzeqari, i angazhuar në kërkime shkencore mbi lidhjen mes shëndetit të njeriut dhe natyrës.
Gjatë diskutimit, u theksua se programi synon të ndihmojë sipërmarrjet që kanë krijuar një bazë të qëndrueshme, por nuk arrijnë të hedhin hapin tjetër për shkak të mungesës së financimit. Sipas kryeministrit, qëllimi është të mbështetet niveli i dytë i zhvillimit të këtyre bizneseve, duke u krijuar mundësi konkrete për rritje.
Programi pritet të përfshijë një sërë instrumentesh financiare, të cilat do të lehtësojnë aksesin në fonde për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Një rol të rëndësishëm do të luajë edhe garancia sovrane, përmes së cilës shteti do të mbështesë financiarisht këto biznese, në mënyrë të ngjashme me skemat që aplikohen në sektorin e bujqësisë.
Gjithashtu, është parashikuar që në këtë proces të përfshihen edhe bashkitë, të cilat mund të kontribuojnë në varësi të natyrës së sipërmarrjeve. Përmes këtij programi, synohet jo vetëm rritja e kapaciteteve të bizneseve, por edhe nxitja e zhvillimit ekonomik dhe krijimi i më shumë mundësive për punësim në vend.
KOHA JONË SONDAZH

