Qeveria vendos hapjen e varrezave private

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për lejimin e ndërtimit të varrezave private.

Vendimi i plotë i qeverisë: 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
V E N D I M
 
PËR
 
 PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR NGRITJEN E VARREZAVE PRIVATE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 3/b, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave  
 
V E N D O S I:
 
1. Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për varrezat private, të cilat ngrihen nga subjekte private, mbi troje në pronësi të tyre ose në troje në pronësi shtetërore, a të njësisë bazë të qeverisjes vendore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Ngritja e varrezave private bëhet me miratim të këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe/ose të Këshillit të Ministrave.
3. Subjekti privat ushtron veprimtarinë e tij në bazë të marrëveshjes së lidhur, sipas rastit, me kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore ose ministrin përgjegjës për çështjet e planifikimit urban, në përputhje me ligjin ligjin nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, dhe rregullat e miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.711, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin  e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””, dhe nr.712, datë 29.10.2014,  “Për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””.
4. Subjektet private të interesuara për ngritjen e varrezave private duhet të plotësojnë këto dokumente:
a) Kërkesë me shkrim të drejtuesit ligjor të shoqërisë, për leje, ku të përcaktohen emërtimi, vendndodhja, adresa e plotë, drejtuesit ligjorë e teknikë të shoqërisë;
b) Dokumenti origjinal ose kopja e noterizuar e ekstraktit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (dokument i lëshuar nga QKR-ja  jo më parë se 1 (një) muaj nga aplikimi);
c) Vetëdeklarim i drejtuesit/drejtuesve ligjor/ë mbi gjendjen e tij në lidhje me organet e prokurorisë dhe gjykatës; 
ç) Vërtetim nga organet tatimore për shlyerjen nga shoqëria të të gjitha detyrimeve tatimore, kur është shoqëri në aktivitet;
d) Kërkesë për t’u pajisur me leje zhvillimore, përfshirë të gjithë dokumentacionin përkatës, duke u mbështur në ligjin 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe aktet nënligjore të tij, si edhe në vendimin nr.712, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””;
dh) Dokumenti i vërtetimit të aftësisë së ushtrimit të aktivitetit, bazuar në aktet nënligjore që rregullojnë  ushtrimin e veprimtarisë;
e) Dokumentacionin që garanton mbrojtjen e biznesit nga falimenti dhe rregullon vazhdimësinë e aktivitetit.
5. Subjektet e interesuara, pas plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor, të parashikuar në pikën 4, të këtij vendimi, aplikojnë pranë njësisë së qeverisjes vendore përkatëse, ku kërkohet të zhvillohet aktiviteti. 
Dokumentacioni depozitohet në tri kopje. Njësia e qeverisjes vendore, pas kontrollit për plotësimin e dokumentacionit dhe kërkesës për leje, përcjell, brenda afateve ligjore, një kopje të dosjeve fituese, të cilat e kanë të plotë dokumentacionin tekniko-ligjor, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
6. Pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit ngrihet komisioni për shqyrtimin e kërkesave për ngritjen e varrezave private. Përbërja e komisionit miratohet me urdhër të veçantë të ministrit.
7. Komisioni ushtron kontrollin bazuar  në  ligjin nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, në rregulloren “Për administrimin dhe funksionimin  e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr.711, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, dhe të rregulloren “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr.712, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave.
8. Komisioni kontrollon përputhshmërinë me: strategjinë e zhvillimit territorial rajonal të vendit, planet e përgjithshme vendore, ligjin nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar; rregulloren “Për administrimin dhe funksionimin  e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr.711, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave; me rregulloren “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendim nr.712, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, si edhe me ligjin 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe merr vendimin për kërkesën fituese.  
Komisioni kontrollon dokumentacionin që garanton mbrojtjen e biznesit nga falimenti dhe rregullon vazhdimësinë e aktivitetit.
9. Ministria e Zhvillimit Urban e dërgon vendimin e komisionit pranë njësisë së qeverisjes vendore, jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga data e marrjes së tij, për të vazhduar më tej procedurën për dhënien e lejes zhvillimore për shoqërinë fituese. 
 
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?