Rama: Drejtësia e re të reagojë për 21 janarin! Prokuroria e Tiranës u tall me përbuzje
Kryeministri i vendit, Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një konferencë me gazetarët, ku ka komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për 21 janarin.
Rama tha se tani ka ardhur koha që drejtësia e re të reagojë.
“Krime shtetërore si ajo e 21 janarit, historia mëson se vonojnë të zbardhen por nuk mbeten kurrë pa zbardhur. Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën dhe ligjin dhe dhimbjen e familjarëve të viktimave. Është koha që drejtësia e re të reagojë”Qysh se ky krim ka marrë rrugët e prokurorive dhe gjykatave të vendit ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë. Leximi i vendimit të gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite dhe vendosja e gishtit drejtpërdrejtë te autoritet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë.
Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër gjykata vë gishtin dhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është e qartë se autoritetet ekzekutive më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale dhe kriminale drejtësinë që të reagojë dhe veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.
Nuk ka asnjë forcë që mund të pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por mundtë vazhdojë të vonohet dhe për këtë arsye jam këtu duke shprehur këto konsiderata sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e reformës në drejtësi, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave,” – u shpreh Rama.
Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e krimit.