Rama: Energjia do parapaguhet, brenda 5 vitesh instalojmë 1.1 milionë matësa inteligjentë

Kryeministri Edi Rama premton se OSHEE-në që e mori me një borxh prej 1 milionë dollarësh, brenda 5 vitesh do e transformojë përmes një reforme të thellë pjesë e së cilës është edhe instalimi i një sistemi të shpërndarjes inteligjente të energjisë.

Energjia do të parapaguhet dhe 1.1 milionë aparata matës inteligjent nuk do të lejojnë që asnjë pikë drite të mos mbetet pa u identifikuar dhe ai që konsumon të mos paguajë asnjë pikë drite më shumë.

Për kryeministrin Edi Rama ishte ”injoranca e qeverisëse e politike” e demokratëve  dhe “këmbëngulja për të mbajtur pushtetin duke shituar atdheun,  ajo që shkaktoi krizën energjetikë që vazhdojnë ta vuajnë shqiptarët, dhe që ka lënë 80 % të sistemit të amortizuar.

Rama ishte i pranishëm në aktivitetin për “Rimëkëmbjen energjetike” që u zhvillua sot në mesditë në Tiranë.

Do instalojme 1.1 milione matese inteligjente

Edi Rama: “Në harkun e këtyre 5 viteve, por duke nisur nga ky vit shqiptarët do të shikojnë me sytë e tyre sesi do të shpërndahet energjia dhe si do të ndryshojë si nata me ditën. Ne do të fusim tekonologjinë më të avancuar që asnjë pikë drite të mos mbetet pa u identifikuar dhe ai që konsumon të mos paguajë asnjë pikë drite më shumë.

Ne jemi të vendosur ta bëjmë pjesë të sistemit tonë. Çdo konsumator të ketë matësin e vet inteligjent. Të jetë në gjëndje ta parapaguajë energjinë. Jo të shkojë, por me telefon të kërkojë sasinë e energjisë që do konsumojë, të paguaje për aq, dhe në momentin kur mbaron energjia ndërpritet dhe porosit kuotën tjetër.

Do i japim fund historisë që njerëz emigrantë që kanë ikur në emigrancion prej 20 vitesh janë debitorë prej 20 vjetësh. Do e nisim këtë vit por deri në fazën e implementimit do të jemi vendi i parë i Europës që do të ketë instaliar 1. 1 milionë matësa inteligjentë që do të jenë në gjëndje të kontrollojnë në kohë reale 1.1 milionë burime shpërndarjeje.”

Shiten atdheun për të mbajtur pushtetin

Edi Rama: “Vetëm në 10 muaj të vitit 2013, kur u kalua nga administrimi i privatëve në administrimin e rimarrë në dorë nga qeveria e shkuar borxhi i brendshëm shkoi nga 720 milionë në 920 milionë, përfshi dhe pjesën tjetër në formën e borxheve ndaj të tretëve që u rrumbullakos në mbi 1 miliardë. Çfarë është kjo tjetër, veçse injorancë qeverisëse, politike, administrative dhe burimesh njerëzore e përkthyer në injorancë shoqërore. Këta 10 muaj të vitit 2013, 10 muajt fatal të etheve elektorale, prodhuan një mbipeshë të borxhit me të cilën po luftojmë sot. Borxhi u rrit me 200 milionë dollarë, pra vjedhja u rrit në mënyrë galopante.

Këto janë një tjetër tregues i asaj që ti katandisesh nëse e kthen pushtetin në qëllim në vetveten dhe për të mbajtur pushtetin shet të ardhmen e atdhetut tënd dhe përpiqesh të vjedhësh vite në pushtet duke detyruar pjesën e shëndetshme të shoqërisë që të paguajnë për ata që vjedhin. ”

SHKARKO APP