Rama i ashpër me deputetët e PS-së: Nga sot deri në zgjedhje jeni në test për një vend në listë!
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme grupin parlamentar, ku ka prezantuar ministrat e rinj që do të drejtojnë Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Financave deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Një ditë pas Kongresit të PS-së, Rama ka vijuar edhe sot të jetë kritik me deputetët.
Rama mësohet të ketë thënë se ka deputetë që nuk e kanë merituar votën e socialistëve për të shkuar në Parlament.
Ai është shprehur se nga sot deri në prillin e vitit të ardhshëm deputetët do të jenë në test për një vend në listat e kandidatëve për deputetë.
Një ditë më parë, duke folur në kongresin e socialistëve, ai lëshoi një sërë kritikash për deputetët.
“Detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë në vendin ku jeton komuniteti që i ka dhënë mandatin. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë tjetër veçse shembulli që dëgjon njerëzit dhe të zhvillojë dijet me problemet që duhet të merret, të zgjidhë halle të mëdha dhe të vogla. Të jesh deputet i kësaj partie, e konsideroj privilegj të pakrahasueshëm dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është borxh që nuk lahet dot kurrë”, tha Rama një ditë më parë.