Rama intervistë për “Financial Times“: Shqipëria, një demokraci adoleshente
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median prestigjioze “Financial Times”, teksa e ka konsideruar dekomracinë në Shqipëri me një adoleshent.
Duke folur për Financial Times, Rama u shpreh se zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat i ofruan atij një mandat të tretë si kryeministër i vendit prej 2.9 milion banorësh, treguan se kombi po përqafonte stabilitetin.
“Shqipëria është një demokraci adoleshente, dhe si çdo adoleshent ajo ka probleme, por po rritet dhe do të arrijë pjekurinë për një kohë jo të gjatë,” i tha ai Financial Times.
Ndërkohë që bëhet me dije se Rama hodhi poshtë ankesat e opozitës për rregullsitë zgjedhore dhe kapjen e shtetit: “Ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës ankohen për mungesë lirie.”
Ai tha se refuzimi për t’u përfshirë në institucione politike ishte arsyeja për performancën e dobët të Partisë Demokratike (PD) dhe LSI.
“Opozita ka humbur betejën e saj të pestë me radhë – tre zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale – sepse ata kurrë nuk kanë qenë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh, ”tha Rama.
Ndër të tjera kryeministri nuk la pa thumbuar dhe BE-në, duke theksuar se Brukseli po vuan nga amnezi për atë çfarë janë, por ai shpreson që të shërohet shpejt.
“Nëse Shqipëria është një adoleshente, Brukseli po vuan nga disa amnezi për atë se kush janë, cili është qëllimi i ekzistencës së tyre,” tha ai. “Ata janë forca më e madhe për njerëzimin e mirë që ka krijuar dhe shpresoj se do të shërohen shpejt sepse pa to bota është një vend shumë më i keq”.- tha Rama.