Rama ironizon DiCaprion për lumin Vjosa: Nuk u bë i gjallë për të mbështetur qeverinë
Kthimi i Vjosës në ”Park Kombëtar” po shkon drejt konkretizimit. Pasi premtoi angazhimin e qeverisë për shndërrimin e zonës, kryeministri Rama u ndal dhe te aktori Leonardo Di Caprio, ndaj të cilit nuk i kurseu ngacmimet. Di Caprio është një ndër aktivistët më të famshëm për mbrojtjen e Vjosës.
“Më kanë shënuar diçka për Leo Di Caprion, por nuk po e them, sepse u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por jo për ta mbështetur qeverinë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditjet do t’i shkojnë në vesh, se mund ta kishim lavdëruar një orë dhe nuk do ta merrte vesh, mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi. Se aty ku të lavdërojnë me miliona njerëz, se të lavdëron edhe një tjetër nuk bëhet lajm. Por kur miliona të lavdërojnë dhe të thonë që të ka sharë njëri, atëherë ka të ngjarë që të zgjohet edhe Nardi”, tha Rama.
Brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes pritet të ngrihen grupet e punës që do të përcaktojnë saktësisht kufijtë e parkut, ndërsa Rama garantoi ndalimin e çdo aktiviteti që mund të cenojë lumin.