Rama: Kemi nisur punën për mandatin e 4-t! PS është makineri, në zgjedhjet e tjera objektivi është 850 mijë vota

Në të parën dalje televizive pas fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit, Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme se Partia Socialiste është makineri votash.

Duke u nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, ku PS-ja mori 756 mijë vota, Rama theksoi se objektivi për zgjedhjet e ardhshme është 850 mijë vota.

“Partia Socialiste është makineri votash dhe rezultati i 25 prillit ishte mëse i pritshëm ku ne shënuam rritje të ndjeshme. Ne punojmë çdo ditë dhe jemi e vetmja parti që çdo ditë në zyrat e PS-së ka njerëz që bëjnë llogari dhe ata nuk qëndrojnë kot aty, merren me përllogaritje. Është shkencë e gjithë kjo që ne bëjmë në Partinë Socialiste, ku ne bëjmë vazhdimisht stimulime kompjuterike. Ne jemi një makineri për të fituar. Dhe të jeni të sigurtë që objektivi ynë për zgjedhjet e ardhshme që PS-ja të marrë 850 mijë vota”, tha Edi Rama.

Më tej, Rama ka bërë të ditur se rezultatin aktual e kishte pritur, madje se forca e tij politike ka humbur edhe 3 mandate nga votat e pavlefshme.

“Ne sot kalkulojmë që kemi humbur 3 mandate nga votat e pavlefshme”, tha Rama duke bërë të ditur se PS e arriti dhe kaloi objektivin për të thyer tavanin e 800 mijëve.

Kryeministri në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka mohuar çdo akuzë të ngritur nga partitë opozitare për blerje apo manipulime të votës.

“Këto janë broçkulla. Partitë që kanë humbur, është PD dhe LSI që flasin përçart. Nëse do të shohim edhe në sondazhet që janë bërë publike ka përputhshmëri mes sondazheve dhe rezultatit. Kush të akuzon për diçka që s’e ke  bërë, ose e ka bërë vetë ose do ta bënte në vendin tënd”, u shpreh ai. Në përforcim të argumentit të tij, Rama solli në vëmendje votimin në burgje. “Është hera e parë në vendin tonë që opozita fiton në burgje të caktuara, ose në të gjitha burgjet ka rezultat normal. Deri në 2017 kur burgjet administroheshin nga LSI, rezultatet janë me zero. Dhe kur në burgje nuk është përdorur fuqia e pushtetit imagjino sa mund të jetë përdorur jashtë”, pohoi kryeministri Edi Rama.

SHKARKO APP