Kryeministri Rama: Mjaft me karagjozllëqe! Do dënojmë me burg këdo që thyen karantinën

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndëshkimore dhe dënime me burg për qytetarët që janë mbartës së koronavirusit dhe shkelin rregullat.

Në një postim në Facebook ai shprehet se rritja e numrit të infektimeve në Tiranë është lajm i keq. Kryeministri sjell shembullin e një të riu, që duke qenë mbartës i virusit, ka thyer karantinën dhe ka infektuar dy prindërit e tij me probleme shëndetësore.

Bëhet fjalë për një punonjës të burgut 313 në Tiranë, i cili ka udhëtuar këto ditë jashtë Tiranës për të takuar prindërit e tij dhe i ka infektuar, natyrisht pa dashje.

“A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!”,- shkruan kryeministri.

Mesazhi i plotë i kryeministrit në Facebook:

NJË LAJM I KEQ NGA TESTIMET E DJESHME, QË DUHET TË VLEJË SI MËSIM PËR TË GJITHË

Djali me Covid19, pa simptoma, thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar. U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!!

Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?!

A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!

Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve:

STOP ME HILET E ME KARAGJOZLLËQET, SEPSE MUND TË BËHENI MOSOZOT, VRASËS TË NJERËZVE TUAJ MË TË SHTRENJTË

SHKARKO APP