Rama nga Brukseli: Synimi ynë, të hapim të gjithë kapitujt në vitin 2025. Marshi ynë vazhdon
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Brukseli ku do të mbahet Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për hapjen e grupkapitullit të gjashtë.
Në fjalën e tij për mediat, Rama u shpreh se ky është një hap shumë u rëndësishëm, i cili po bëhet sipas planit.
“Marshi ynë vazhdon! Jemi këtu për të ndërmarrë një hap të ri të rëndësishëm dhe për të hapur një grupkapitull të ri, i cili është shumë, shumë i rëndësishëm për planin tonë, sepse është një hap që po bëhet sipas planit.
Dhe po, duhet të vazhdojmë përpara dhe ambicia jonë është të hapim më shumë grupkapituj, shpresojmë në pranverë, dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grupkapitujt e hapur.
Është me të vërtetë një ditë shumë e mirë për vendin tonë dhe një hap shumë motivues për të gjithë ne”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të gjashtë.
Konferenca Ndërqeveritare i paraprin Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet ditën e nesërme, si dhe një sërë takimesh që Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit do të zhvillojnë me përfaqësues të lartë të BE.