Rama: Shteti është në gatishmëri maksimale
Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se situata nga reshjet nuk do të jetë e favorshme edhe gjatë 48 orëve të ardhshme, ndërsa siguroi se të gjitha strukturat e shtetit janë të angazhuara për të përballuar situatën.
Në një konferencë per shtyp, kryeministri Rama tha se qeveria ishte e përgatitur plotësisht për këtë emergjencë dhe se u morën masa pa filluar ende përmbytjet.
“Jemi të gatshëm për të përballuar gjithçka ashtu siç jemi të përgatitur edhe për fazën tjetër, atë të kurimit të plagëve”, theksoi Rama. Qeveria tha ai, nuk do t’i shmanget asnjë detyrimi dhe me t’u kaluar situata e përmbytjeve, do të ketë dëmshpërblim të plotë.
I pyetur për mundësinë e hapjes së digave të HEC-eve në veri të vendit, Rama tha se administrimi i kaskadës ka qënë më se i mirë .
“Në se do të kemi surpriza nga moti, kjo do të shikohet në vijim, por deri tani nuk është pjesë e shqetësimeve më serioze”, deklaroi kryeministri Rama.
Kryeministri iu pergjigj akuzave të Presidentit e te opozitës për mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonsme pas përmbytjeve.
Besoj, theksoi ai, që dje në Parlament janë dhënë sqarime shterruese, por mbase duhet ta përmbledh situatën. “Kush na kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakshme. Ata që kanë shpallur gjendjen e jashtëzakshme 4 herë me argumentin se vetëm po të shpallej gjendja e jashtëzakoshme je i detyruar të dëmshpërblesh 100 % të prekurit nga fatkeqësia natyrore. Pse nuk i kanë dëmshpërblyer njerëzit e prekur në situatat e gjendjes së tyre të shpallur si të jashtëzakonshme. Kanë lënë në kurriz të kësaj qeverie mes shumë e shumë borxhesh një borxh prej 37.4 milionë dollarë”, u shpreh kryeministri Rama.
Ai vuri në dukje se opozita e sotme, dje në qeveri la në arkën e shtetit për emergjencat 570 dollarë, pa llogaritur që i tretën se ku mbetet mister, rezervat ushqimore. Kryeministri evidentoi po ashtu se ndërtimet pa leje janë shkaktare kryesore e gjendjes së sotme. Rama po ashtu i bëri thirrje opozitës të ndale sulmet ndaj qeverisë. “Këto sulme, tha ai, nuk do të na pengojnë të bëjmë deri në fund me përgjegjshmëri të lartë punën”, nënvizoi kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe akuzave të Presidentit Nishani për mungesë të komunikimit. “I mbetem besnik asaj që kam thënë se çfarë kam për t’i thënë presidentit ia them në sy”, tha kryeministri. Sipas tij, ky është një tjetër dallim e ndryshim i madh në Shqipërinë e pas 23 qershorit, ku qeveria nuk sulmon presidentin. Përkundrazi, tha ai, kemi një president që sulmon qeverinë. “Me presidentin kemi përsa më takon kanale institucionale komunkimi. Çfarë kemi për t’ja thënë ia themi balle për balle e sy më sy. Presidenti duke sulmuar qeverinë ka bërë zgjedhjen e gabuar për rolin e tij kushtetues, por është zgjedhja e tij”, deklaroi kryeministri Rama.
Kryeministri informoi po ashtu se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, do të marrë vendim për lirimin nga detyrimi të abonentëve të mbifaturuar. Sipas tij, janë rreth 53 mijë abonentë që do të përfitojnë nga ky vendim. Kryemnistri tha gjtihashtu se për banorët e prekur nga përmbytjet po diskutohet për të bërë një trajtim të vecantë sa u përket borxheve të energjisë elektrike
KOHA JONË SONDAZH

