Rama: Ujërat Termale të Bënjës, realiteti i përkushtimit për Shqipërinë Turistike
Banjat termale të Bënjës në Përmet presin turistë të shumtë edhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar për kthimin e tyre në një zonë të vërtetë rekreative për të gjitha moshat.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Ujërat Termale të Bënjës, duke theksuar se investimi është pasqyrë e realitetit të punës së përkushtuar për Shqipërinë Turistike.
Turistët shijojnë jo vetëm ujërat termale por edhe peizazhet përreth ndërsa zona është ndër me piktoresket.
Zona e ujërave termale të Bënjës është në kantier rikualifikimi, falë një investimi dhe projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me rrugë aksesi të reja, me mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës dhe produkteve të jashtëzakonshme përmetare.
Projekti parashikon krijimin e një zone parkimi të sistemuar, korsive për biçikleta, ballkoneve panoramike mbi kanion, një hyrje të organizuar, banja publike dhe një qendër shëndetësore, duke ruajtur njëkohësisht vlerat historike dhe mjedisore të zonës.
Ndërkaq, është kryer faza e arredimit, vendosjes së parvazëve të shkallëve dhe shtrimit të dyshemesë me dru dekorativ pranë vaskave termale, me synimin për të krijuar një ambient në harmoni me natyrën.
Burimet termale të Bënjës, me temperaturë që varion nga 26 deri në 32 gradë Celsius, ofrojnë një kombinim unik të natyrës, historisë dhe aventurës.
Vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë edhe Kanionin e Lëngaricës dhe Urën e Katiut, monument kulture që pasuron trashëgiminë historike dhe turistike të zonës.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

