Rama vijon me diversionet: Basha, një njeri i marrë peng
Kryeministri Edi Rama deklaroi se kreu i PD, Lulzim Basha është një njeri i marrë peng nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.
Gjatë një interviste për “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus”, Rama foli më gjatë për ftesën e tij për Bashën për bashkëpunim.
Sipas shefit të qeverisë, bashkëpunimi nevojitet për të çuar politikën në një tjetër nivel. Kjo gjë, shtoi ai, nuk mund të arrihet me Metën dhe Berishën në mes.
“Në këtë sistem që kemi zgjedhur, kundërshtarët nuk i zgjedhim dot, kundërshtarët janë ata që janë. Nuk ka rëndësi se si ti do ta preferoje kundërshtarin, ka rëndësi që të gjesh rrugën që për hir të interesave të njerëzve, të bashkëpunosh me kundërshtarin. Nuk është çështje preference, është çështje domosdoshmërie, nuk mund të ketë tejkalim të kësaj politike, duke patur në mes Saliun dhe Ilirin. Pa daljen e Saliut dhe Ilirit nga skena, nuk ka mundësi që politika të ngjitet në një skenë tjetër, është e pamundur. Unë besoj që metafora e kukullës shpjegon më së miri natyrën e lidershipit të Lulzim Bashës, një lidership i dobët, pa karakter dhe tërësisht të adaptueshëm, sipas programit të kurdisjes. Nga ekstremi i udhëheqësit të një revolucioni imagjinar dhe i atij që bën thirrje për të marrë pushtetin në rrugë alternative pa zgjedhje, te versioni i dhëndrit të mirë-okllaisur për të shpërndarë buzëqeshje dhe premtime që janë totalisht të parealizueshme. Unë besoj shumë që të dyja këto pozicione ekstreme lidhen me faktin që Lulzim Basha nuk është një njeri i lirë, është një njeri i marrë peng, i kapur, është vendosur aty për të marrë urdhra dhe për të vepruar sipas këtyre urdhrave.”