Rama vizitë në Turqi në kulmin e përplasjeve me Greqinë. Macron: Erdogan nuk është partner i BE

Kryeministri Edi Rama ka një axhendë të ngjeshur këto ditë me takime në tre shtete të ndryshme. Mësohet se shefi i qeverisë, pasditen e sotme ka udhëtuar për në Turqi, ku do të takohet me presidentin Erdogan, një vizitë që në fakt është informale.

Pas Ankarasë, Rama do të udhëtojë për një vizitë dyditore në Athinë, në cilësinë e kreut të OSBE-së.

Vizita e Edi Ramës në Turqi dhe konfirmimi i marrëdhënieve personale speciale mes tij dhe Erdogan vjen në një delikat për zhvillimet në rajon. Situata mes Greqisë dhe Turqisë është në tensione maksimale lidhur me mos marrëveshjet për detin. Shumica e vendeve të BE kanë dalë në krah të Greqisë dhe kanë bërë deklarata që flasin për sanskione që mund t’i vendosen palës turke.

Ditën e djeshme në Francë Emmanuel Macron priti homologët e gjashtë vendeve të tjera të BE-së në samitin e Korsikës, përfshirë Greqinë, rivalin më të madh të Turqisë, i cili është në mosmarrëveshje për fushën e gazit natyror në Mesdhe. Në këtë samit, drejtuesit e shtatë vendeve evropiane në Mesdhe kanë deklaruar ditën e djeshme se janë të gatshëm të mbështesin sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Turqisë nëse ky vend shmang dialogun mbi përshkallëzimin e tensioneve në det. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në konferencë është shprehur se Turqia nuk është më një partner i BE-së dhe se evropianët duhet të jenë të vendosur.

SHKARKO APP