“Rama viziton ‘Art Explora’, artistët preken nga sulmi i papritur”
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e qendrës ndërkombëtare të artit “Art Explora” në Vilën 31 në Tiranë, e cila u sulmua dje me molotovë nga protestues të opozitës.
Gjatë vizitës në rezidencën e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, Rama theksoi se fondacioni prestigjioz “Art Explora” prej kohësh mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova dhe e gjithë bota.
“I gjeta të traumatizuar nga çmenduria dhe barbaria e mbrëmshme. Ishte një sulm i verbër i një grupi të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një individi tetëdhjetë e ca vjeçar, i cili lëviz i lirë nëpër Tiranë, ndërkohë që askush pothuajse nuk e ndalon,” u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se gjykatësit që lirojnë këta zjarrvënës, sa herë arrestohen nga policia, janë bashkëpërgjegjës për këto akte vandalizmi, të paprecedentë në Europë.
Rama theksoi gjithashtu se këto sulme ndodhin me bekimin e një partie parlamentare, ku në seli nuk flitet për ide e programe, por vetëm për plane dhune dhe bomba artizanale.
“Turp për çdo gjykatës që liron këta keqbërës dhe turp për qeverisjen e drejtësisë që vëzhgon sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj,” përfundoi Kreu i Qeverisë.
KOHA JONË SONDAZH

