Reforma në drejtësi prek edhe qytetarët – Rriten tarifat e gjyqeve
Reformimi i sistemit të drejtësisë nuk do të prekë vetëm institucionet dhe zyrtarët e lartë që do të japin drejtësi në Shqipëri, por edhe qytetarët shqiptarë, të cilët që nga marsi i këtij viti do të duhet të paguajnë më shumë për t’iu drejtuar gjykatave.
Madje nëse ata nuk paguajnë nuk do të marrin asnjë lloj shërbimi.
Kjo është vendosur në projektligjin “Për tarifat e shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, që shihet gjithashtu si një mundësi për të rritur buxhetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Nga shuma e përgjithshme që do të arkëtohet për tarifën gjyqësore, 10% i kalon buxhetit gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për shpenzimet dhe nevojat e institucioneve dhe administratave juridike.
Aktualisht vetëm Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë kanë një sistem të qartë pagesash për delegimin e një vendimi, ndërsa në gjykatat e tjera nuk ka një tarifë standarde.
Kjo ka sjellë shpesh ngurrimin për t’iu drejtuar institucioneve që japin drejtësi, por edhe pamundësinë për disa të tjerë që nuk kanë të ardhura pavarësisht se për këtë shtresë njihet e drejta për t’u përfaqësuar falas.
Një ndër problemet e tjera është se mospasja e një strategjie të qartë sa i përket pagesave për shërbimin ka bërë që gjykatat t’i paguajnë vetë shumë nga shërbimet që duhet t’i paguajnë qytetarët qa u drejtohen atyre.
Kjo ka sjellë si pasojë edhe shmangie të trajtimit të shumë dosjeve që mbesin në sirtarë, por që sërish rrisin ngarkesën e gjykatave.
Pikërisht për të zgjidhur të gjitha këto paqartësi, është hartuar projektligji “Për tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në republikën e Shqipërisë”, në kuadër të paketës prej 27 ligjesh për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe që priten të miraton në mars të këtij viti.
Projektligji është pjesë e një pakete ligjore që synon përmirësimin e aksesit në gjykatë për çështje të bazuara në ligj, uljen e mbingarkesës së gjykatave si dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë për përdoruesit e gjykatës./Shekulli

