Reforma Territoriale, PL kërkon tërheqjen e projektit për Fushë Arrëz–Pukë

Partia e Lirisë ka vijuar kundërshtitë ndaj draftit të propozuar nga Partia Socialiste për një ndarje të re territoriale, duke e cilësuar atë një nismë që, sipas saj, cenon interesat e komuniteteve lokale.

Dega e PL-së në Pukë ka reaguar kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë Fushë-Arrëz me atë të Pukës, duke deklaruar se një ndryshim i tillë mund të ndikojë negativisht në zonat malore dhe të përshpejtojë largimin e banorëve.

Sipas kësaj force politike, çdo reformë territoriale duhet të bazohet në konsultimin me qytetarët dhe në marrjen parasysh të nevojave të komuniteteve. PL argumenton se vendimet që merren pa dëgjuar banorët rrezikojnë të dobësojnë përfaqësimin vendor dhe të largojnë shërbimet publike nga qytetarët.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në reagimin e saj, Partia e Lirisë thekson se shkrirja e Bashkisë Fushë-Arrëz nuk përbën një hap drejt zhvillimit, por mund të sjellë pasoja për funksionimin e institucioneve lokale dhe për jetën e përditshme të banorëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas projektligjit të depozituar nga mazhoranca socialiste, Fushë-Arrëzi është një nga 15 bashkitë që propozohet të humbasë statusin aktual dhe të përfshihet në një njësi të re vendore me Pukën.

PL i ka bërë thirrje qeverisë që të rishikojë këtë nismë dhe të mos marrë vendime që prekin komunitetin pa një proces të gjerë konsultimi. Sipas saj, qytetarët duhet të kenë rol kryesor në vendimmarrjet që lidhen me organizimin territorial dhe të ardhmen e zonave ku jetojnë.

Partia e Lirisë deklaron se do të vijojë të mbështesë banorët e Fushë-Arrëzit në përpjekjet e tyre për ruajtjen e përfaqësimit vendor, zhvillimin e zonës dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?