Reformim i Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Manastirliu: Hap përpara drejt cilësisë në arsim
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Vlerësimit të Universitetit të Cambridge dhe British Council nënshkruan sot marrëveshjen për reformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se ky është një hap drejt cilësisë në arsim.
Marrëveshja do të fillojë të zbatohet menjëherë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbimet arsimore nga QSHA. “Nëpërmjet këtij partneriteti të ri, transformojmë Qendrën e Shërbimeve Arsimore, në një agjenci autonome, e cila jo vetëm të mundësojë një vlerësim transparent dhe meritokratik të bazuar mbi standarde dhe metodologji të unifikuara me vlerësimet ndërkombëtare, duke i sjellë këto në kontekstin lokal, por edhe duke bërë të mundur që nga këto vlerësime, qofshin kombëtare, qofshin ndërkombëtare, ne të kemi bazën e të dhënave nga të cilat të nisemi për të përmirësuar cilësinë në arsim në të gjithë shkollat shqiptare”, tha ministrja Manastirliu.
Procesi i transformimit të QSHA-së do të ndahet në tri faza. “Ne synojmë të krijojmë një strukturë efektive të shërbimeve arsimore me stafe te kualifikuara, me pajisje të standardeve bashkëkohore, me teknologji dhe informacion. Në bazë të kësaj marrëveshje, synojmë që testimet e digjitalizuara të shtrihen nga matura shtetërore, tek testet e pranimit në universitete, të zgjerojmë gjithashtu edhe gamën e shërbimeve që ofron Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Nëpërmjet tri fazave nga kalon kjo reformë e QSHA-së, rrisim kapacitetet e veprimeve njerëzore, kapacitetet procesuese dhe të përfshijmë mekanizma inovator të teknologjisë dhe vlerësimin e arritjeve të nxënësve, studentëve në sistemin tonë arsimor. Faza e dytë do të kalojë në hartimin e kuadrit ligjor dhe akteve nënligjore dhe këtu do të kemi mbështetjen e Qendrës së Vlerësimeve të Cambrige (Cambridge Assessment Center); për të ecur drejt fazës së tretë, ku Qendra e Shërbimeve Arsimore bëhet një agjenci autonome”, tha Manastirliu.