Reshjet e borës, Dervishaj në Rrugën e Kombit: Jemi në gatishmëri
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj ishte në aksin kombëtar Milot-Morinë, ku vëzhgoi nga afër situatën e krijuar në Rrugën e Kombit pas reshjeve të fundit të borës.
Dervishaj tha se Rruga e Kombit është e kalueshme dhe nuk paraqet asnjë problem në qarkullimin e automjeteve. “Është ndërhyrë në çdo segment ku janë regjistruar probleme në qarkullim si pasojë e ngricave dhe dëborës, dhe aktualisht qarkullimi në akset kombëtare në gjithë vendin është normal. Megjithatë jemi duke monitoruar situatën, për çdo problematikë që mund të kemi në vijim. Vetëm në disa zona të qarkut Dibër, qarkullimi po kryet me vështirësi. Por kam besim se shumë shpejt dhe në këto segmente do të rikthehet normaliteti në qarkullimin e mjeteve. Megjithatë drejtuesit e mjeteve gjatë këtyre ditëve duhet të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën, pasi temperaturat e ulëta do të vijojnë”, theksoi ai.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës shtoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe drejtoritë rajonale të “ARRSH” dhe drejtoritë e tjera janë në gatishmëri maksimale, për të reaguar në rast të përkeqësimit të situatës.

