Revista spanjolle: Eksploroni Shqipërinë, perlën sekrete në zemër të Ballkanit
Midis deteve Adriatik dhe Jon, Shqipëria shfaqet si një perlë ngjyrë bruz e pazbuluar, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle të udhëtimeve “Confidencial Digital”.
Historia e saj ndërthur ndikimet lindore dhe perëndimore, dhe vija e saj bregdetare rivalizon bukurinë e vendeve fqinje, Greqisë ose Kroacisë.
Ekspertët e udhëtimeve e kanë përshkruar Shqipërinë si “sekretin më të mirë të ruajtur të Evropës”.
luturimet direkte nga Spanja në Shqipëri – kanë qenë të disponueshme prej disa vitesh.
Ndryshe nga vendet e mbipopulluara turistike, në Shqipëri do të gjeni më pak turistë, më shumë autenticitet dhe një natyrë mahnitëse të paprekur.
Ku fillon udhëtimi? Do t’ju tregojmë gjithçka rreth tij, nga veriu në jug, derisa të arrijmë në zemër të Ballkanit, Shqipëri!
Shqipëria është ndryshe nga çdo vend tjetër evropian. Malet e mbuluara me borë, pazaret e stilit osman dhe plazhet me ujëra të kaltra bruz, bashkëjetojnë në një territor të vogël, por të egër.
Kryeqyteti i saj, Tirana, është një destinacion modern, plot ngjyra dhe i gjallë.
Prej andej, ju mund të vizitoni Krujën, qytetin e Skënderbeut, heroit që i rezistoi Perandorisë Osmane për 25 vjet.
Kalaja muze e Skënderbeut dominon horizontin dhe zërat e artizanëve të pazarit jehojnë nëpër rrugicat e tij me kalldrëm.
Tirana: Shpirti mesdhetar i Ballkanit
Kryeqyteti surprizon me ndërthurjen e tij kulturore. Xhamitë, kishat dhe muralet bashkëjetojnë nën të njëjtin qiell.
Jeta rrjedh në kafenetë e lagjes së Bllokut, dikur pronë ekskluzive e regjimit komunist.
Sot, ish-selia e pushtetit është transformuar në një zonë në modë, me bare që shërbejnë raki të bërë në shtëpi dhe birrë vendase të Tiranës.
Mos humbisni një vizitë në Bunk’Art, një bunker i shndërruar në një muze – ku do të kuptoni Shqipërinë e Enver Hoxhës, diktatorit që ndërtoi më shumë se 170,000 strehimore nga frika e pushtimit.
Nga Tirana, rrugët të çojnë në bregdet dhe në jug, ku fillon spektakli i vërtetë natyror.
Vlora: Fillimi i Rivierës Shqiptare
Në Vlorë, deti Adriatik takohet me detin Jon. Këtu fillon rruga më spektakolare e vendit, e cila gjarpëron midis maleve dhe shkëmbinjve.
Ajo kalon nëpër Parkun Kombëtar të Llogorasë, ku pishat e zeza dhe parashutistët shënojnë rrugën drejt detit.
Plazhet e Dhërmiut, Himarës dhe Ksamilit
Dhërmiu: Plazhet me rërë të bardhë si Drimadhes dhe gjiret e fshehura si Plazhi i Gjipesë, janë të arritshme vetëm në këmbë.
Himara: Një fshat bregdetar me një kështjellë mesjetare dhe një shëtitore të gjallë.
Porto Palermo: Këtu, mund të vizitoni Gjirin e Ali Pashës, me fortesën e tij me pamje nga deti dhe mbetjet e bunkerëve sovjetikë.
Ksamili: Përballë Korfuzit, ndodhet xhevahiri i Adriatikut me ujëra të kristalta ngjyrë bruz.
Butrinti: Arkeologjia midis lagunave
Pak kilometra nga Ksamili shtrihet Parku Kombëtar i Butrintit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Midis lagunave dhe rrënojave greko-romake, zbulohen tempuj, mozaikë dhe një teatër i paprekur me pamje nga Kanali i Vivarit. Dikur, ishte një koloni e Jul Cezarit dhe më vonë e Augustit.
Gjirokastra dhe Berati: Dy xhevahirët e Shqipërisë
Duke u kthyer në veri, rruga të çon në Gjirokastër, “Qytetin e Gurtë”. Kalaja e saj dominon Luginën e Drinit, dhe kullat osmane i transformojnë rrugët me kalldrëm në një muze në ajër të hapur.
Më në veri, Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, mahnit me horizontin e ballkoneve të bardha me pamje nga lumi Osum. Të dyja këto qytete janë Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Mali i Tomorrit dhe Lumi i Vjosës: Natyrë e shenjtë
Mali i Tomorrit – i lartë 2416 metra mbi nivelin e detit – ngrihet pranë Beratit. Për shqiptarët, është më shumë sesa thjesht një mal, ai është një simbol identiteti.
Nga shpatet e tij burojnë lumenj si Vjosa, lumi i fundit më i madh i egër në Evropë, ku aktivitete si rafting dhe ecje në natyrë janë të njohura.
“Shqipëria është Zvicra e 200 viteve më parë”, thonë me krenari guidat lokale.
Bjeshkët e Nemuna dhe shtegu Valbonë – Theth
Veriu ofron një peizazh nga një epokë tjetër: “Bjeshkët e Nemuna” ose ndryshe Alpet Shqiptare.
Midis Kosovës dhe Malit të Zi, shtegu i Majave të Ballkanit lidh fshatrat e izoluara ku ende qëndrojnë jehonat e Kanunit, kodit mesjetar të nderit.
Shtegu Valbonë-Theth (12 kilometra) është më i famshmi. Ju mund të bëni një ecje shtatë-orëshe përmes ujëvarave, pyjeve dhe heshtjes absolute. Nuk ka vend më të pastër për të kuptuar “zemrën” e Shqipërisë.
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë
Aktualisht, janë të disponueshme fluturimet direkte nga Spanja në Tiranë (3 orë nga Madridi ose Barcelona).
Ne ju rekomandojmë ta eksploroni vendin me makinë – për të shijuar peizazhet e tij të larmishme.
Pranvera dhe vjeshta janë stinët perfekte për udhëtime me makinë dhe ecje në natyrë. Qershori dhe shtatori janë muajt ideal për pushime ne plazh, pa turma vizitoresh ose vapë ekstreme. Në dimër, malet me dëborë në veri, ofrojnë një peizazh magjepsës.
KOHA JONË SONDAZH

