Riaktivizohet një tjetër vatër zjarri në Krujë
Riaktivizohet një tjetër vatër zjarri në lagjen “Abaze” të Krujës, pasi gjatë fundjavës ky qytet për orë të tëra u rrethua nga zjarri, ku flakët u afruan në oborret e banesave, duke rrezikuar jetën e banorëve të cilët u evakuuan nga autoritetet.
Situata më e vështirë ishte në lagjet Barabit dhe Lluban. Zjarri, i favorizuar nga era, avancoi me shpejtësi drejt zonave të banuara duke rrezikuar shtëpitë, që fatmirësisht shpëtuan pa dëme dhe vetëm një magazinë biznesi u dogj. Pamjet tregojnë qartë çfarë la pas zjarri, ku sipërfaqe të tëra me bimësi janë djegur, ndërsa gjithçka rreth e rrotull banesave është shkrumbuar totalisht.
Gjithashtu, flakët rrezikuan edhe Spitalin e Krujës. Zjarri u afrua 50 metra pranë godinës, duke detyruar evakuimin e pacientëve drejt Tiranës.
Situata e vështirë ishte edhe në një biznes në rrugë drejt malit të Krujës ku flakët u afruan në oborrin e lokalit.
Për zjarrin që shkaktoi situatën drramatike policia arrestoi 73-vjeçarin Q. Berhami. Ai ndezi barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik qytetin e Krujës.
Ndërsa në vend, dy vatra zjarri aktive raportohen sërish në Mallakastër. Një prej vatrave është riaktivizuar në zonën e Panahorit, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Greshicës. Vatra tjetër përfshiu zonën mes fshatrave Drenije të bashkisë Patos dhe Vlosht të bashkisë Roskovec. Po ashtu edhe në Gjirokastër një zjarr i përmasave të mëdha u aktivizua në zonën ndërmjet fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq duke paraqitur rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
KOHA JONË SONDAZH

