Rifillimi i mësimit në shkolla dhe universitete është përballja më e madhe e vendit me pandeminë!
Aktualitet E Hënë, 14 Shtator 2020 21:34
Nga Myqerem Tafaj, ish-ministër i Arsimit
Shkolla filloi dhe kjo është rruga e vetme për të shmangur një prapambetje akoma më të madhe në formimin arsimor të nxënësve për shkak të pandemisë Covid 19, sidomos të atyre të familjeve të shtresës së varfër dhe pjesërisht asaj të mesme, të cilët praktikisht nuk kishin mundësi mësimi as në whatsup, pa folur për mësim në distancë. Një raport i Bankës Botërore, i muajit maj 2020, vlerëson se ky grup nxënësish nuk është pak, por zë rreth 47% të nxënësve.
Por, falë opozitës dhe mediave, publiku mësoi sot se jo të gjitha shkollat kanë siguruar kushtet e nevojshme anti Covid. Disa kryetarë të bashkive ishin kujtuar ditët e fundit për ujin e rrjedhshën në shkolla. Diku mungonte termometri për matjen e temperaturës për nxënësit, etj etj. Nga ana tjetër, para shumë shkollave dukej sikur po bëheshin mitingje. Nuk e di njeri në cfarë kushtesh realizohet transporti i nxënësve.
Po flitet vetëm për shkollat që filluan sot. Por asnjeri nuk po interesohet për studentët. 2/3 e studentëve të universiteteve janë kthyer në audiotore prej gati 10 ditësh për mësime praktike, konsultime dhe provime.
Cili autoritet i ka certifikuar shkollat dhe godinat e universiteteve për plotësimin e kushteve minimale higjenike? Në fakt kjo është detyrë e Ministrisë së Shëndetsisë, përkatësisht e Inspektoriatit në varësi të saj. Këto ditë ky inspektoriat duhet të deklaronte publikisht se cilët shkolla i kanë plotësuar kushtet dhe cilët jo. Kjo nuk është një gjë formale, por detyrim ligjor. Nëse do vazhdohet me gënjeshtra për kushtet minimale higjenike në shkolla dhe me grumbullime të tilla të prindërve para shkollave, vendi mund të zhytet në një situatë shumë të rëndë të infeksionit, të cilën sistemi ynë shëndetsor kurrë nuk mund ta përballoj jo me 2 spitale Covid por as me 10 të tilla! Kjo nuk është shaka, bëhet fjalë për jetën e nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve dhe famljeve të tyre. Një gjë nuk duhet harruar: rifillim i mësimit në shkolla dhe auditoret e universiteve është përballja më e madhe e vendit tonë në këto 7 muaj me pandeminë! Sepse janë rreth 700 mijë (1/4 e popullsisë) nxënës, mësues, studentë dhe pedagogë që do bëjnë mësim në mjedise të mbylluara, klasat dhe auditoret e universiteteve! Prej tyre rreth 140 mijë janë vetëm në Tiranë. Nëse ky proces kaq masiv nuk do të manaxhohet me përgjegjësi maksimale nga qeveria, ministritë përgjegjëse për arsimin, shëndetèsinë dhe ajo për pushtetin lokal, bashkitë, prefektët, drejtoritë dhe zyrat arsimore vendore, si dhe drejtoritë e shëndetit publik, rifillimi i mësimit në klasa dhe auditore mund të kthehej në një super spreader të Coronavirusit të papërballueshëm nga sistemi ynë shëndetësor. Përvoja e vende të tjera është konkrete. Flet shumë rasti i Izraelit, një vend aq shumë i zhvilluar dhe aq i suksesshëm në manaxhimin e valës së parë të Covid-19, ku hapja e shkollave e agravoi shumë situatën e pandemisë dhe ky vend po ri-vendos masat karantine.
Rifillimi i mësimit në klasa dhe universitete nuk duhet të lë në harresë nevojën e mësimit në distancë dhe investimeve për dixhitalizimin në sistemin tonë arsimor parauniversitar dhe universitar. Në këtë situatë kaq të pafavorshme të pandemisë, duhet të krijohen mundësi për mèsimin në distancë. Duhen platforma të destinuara, duhen zhvilluar kurrikulat dhe duhen trajnuar mèsuesit për mësimin në distancë. Por, më së pari, duhet mbështetje për nxënësit dhe studentët, me pamundësi ekonomike, për aksesin në internet dhe ndoshta me mjetet e nevojshme dixhitale (tableta, labtop). BE u ka afruar edhe vendeve me statusin e vendit tonë grante pèr arsimin dixhital. Pra, qeveria nuk ka nevojë as të alokoj fonde nga buxheti, por thjesht të aplikoj për fondet Covid të BE edhe pèr dixhitalizimin. Ditët e fundit i akordoi BE vendit tonë 198 milion Euro pèr përballimin e situatès Covid. Nèse prej tyre do të vecohen maksimumi 10 milion Euro, kjo shumë do të mjaftonte për të garantuar mësimin në distancë në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit, madje mund të mbështeteshin edhe nxënèsit dhe studentët e familjeve të varfëra pèr aksesin në internet dhe për mjetet e nevojshme dixhitale. Fondet gjenden, por duhet vetëm vullnet politik i qeverisë. Por ky nuk duket në horizont. Kaluan gati 6 muaj të pandemisë dhe qeveria nuk bëri asgjë esenciale për dixhitalizimin dhe mësimin në distancë. Eshtë e njëjta situatë, Sistemi èshtë prapë tërësisht i papërgatitur. Përse nuk po vihet në punë platforma e mësimit në distancë e zhvilluar në 2016 me mbështetjen e Austrisë dhe e vendosur pranë AKSHI-it. Nèse do të detyrohemi të rikthehemi në mèsimin online, sërish do jepen disa mèsime të tipit të fjalimeve në RTSH dhe do përdoren prapë telefonat dhe adresat private të emaileve për lidhjet në skype apo në google por në formën e piraterisë.