Rinovohet Kontrata Kolektive mes MSH dhe Sindikalistëve të Shëndetësisë

U nënshkrua sot (25/0/2015) rinovimi i Kontratës Kolektive të Punës të nivelit të parë lidhur ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Shëndetësisë të Shqipërisë (FSPSHSH), Anëtare e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Në takimin e zhvilluar në mjediset e MSH-së, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj mikpriti një grup përfaqësuesish të anëtarësisë dhe drejtuesve të FSPSHSH-së dhe KSHSH-së.

Me mbarimin e afatit më 6 shkurt 2015 të Kontratës ekzistuese Kolektive të Punës, rinovimi i këtij akti, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve juridike të punës dhe respektimin e të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet MSH-së, në cilësinë e përfaqësuesit të punëdhënësit dhe FSPSHSH-së, është i vlefshëm për periudhën tre-vjeçare 2015-2018.

Në fjalën e tij në takim, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se parimet mbi të cilat bazohet dhe ka fushën e veprimit Kontrata e re mbeten po ato, por ndërkohë, theksoi ai, “ka disa elementë të rinj, që lidhen me sanksionimin e të drejtave që kanë më shumë të punësuarit në shëndetësi, në rastin konkret, për aspektet e sigurisë në punë, të kushteve të punës, të mjedisit të sigurtë të punës dhe sigurisht shmangieve sa më të mëdha të rreziqeve që i vijnë shëndetit të personave, që janë pjesë e punësimit në shëndetësi nga kushtet e punës, apo nga zbatimi i detyrave funksionale”.

 

Rinovimi i kësaj Kontrate, e cila i shtrin efektet e saj në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit si në spitale, poliklinika, qendra shëndetësore, institucione profilaktike e kërkimi shkencor ku ushtrojnë veprimtarinë  e tyre profesionistët e shëndetësisë, vjen në vazhdën e përpjekjeve që bëhen për të përmirësuar sistemin tonë shëndetësor, dhe veçanërisht, burimet njerëzore në Shqipëri, punësimi i të cilëve, tha më tej kreu i shëndetësisë, duhet të jetë “në përputhje, jo vetëm me rregullat formale, por edhe një proçes transparent dhe sa më shumë konkurues”.

 

Gjithashtu, në fjalën e tij për mediat, Zv.Presidenti i FSPSHSH-së, z. Petrit Frangu, falënderoi ministrinë e shëndetësisë dhe kreun e saj për disponueshmërinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me FSPSHSH-në dhe KSSH-në. Njëkohësisht, tha më tej në fjalën e tij z. Frangu, “dua të falenderoj edhe Presidentin e Konfederatave të Sindikatave të Shqipërisë, z. Kol Nikollaj, për kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin në tërësi me MSH-në”.

 

Ndërsa në fjalën e tij në takim, kreu i KSSH-së, z. Kol Nikollaj, tha midis të tjerash se, “Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka të gjithë asistencën e duhur për t’i dhënë të gjithë punonjësve të sistemit shëndetësor nëse u cënohet marrëdhënia e punës, e pagës, e shpërblimit, e sigurisë së shëndetit në punë,” duke garantuar edhe njëherë për mbështetjen, jo vetëm për sektorin e shëndetësisë, por edhe për sektorin e arsimit dhe të reformimit të administratës së shërbimit publik.

SHKARKO APP