Ristani: Nëse Shullazi i shpëton drejtësisë, Rama ti japë zyrë në Qeveri

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani i ka bërë thirrje prokurorisë të bëjë transparencë e të hetojë me profesionalizëm ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 5 janarit në Tiranë ku pas 2 atentateve humbi jetën një person dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Ristani ka akuzuar qeverinë për mungesën e transparencës për ngjarjen e ndodhur.

“Eshtë e qartë se qeveria, Edi Rama e Ministri i tij, kanë vendosur të mos bëjnë zë për një nga ngjarjet kriminale më të rrezikshme të kohëve të fundit, përplasjen e përgjakshme të bandave në mes të Tiranës”, tha Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë për mbështetje të bandave kriminale.

“Teksa heshtin, dhe nuk bëjnë transparencë, është e dukshme, se nga ana tjetër, qeveria po jep gjithë ndihmën e nevojshme për të lehtësuar rrethanat e bandës me të cilën ka lidhje, me të cilën bashkëpunon”, deklaroi Ristani.

Sipas tij, është fakt tani i pranuar edhe nga zyrtarët se kemi një alibi për Emiliano Shullazin, i cili sipas policisë është gjetur i pastër, i paarmatosur.

“Të gjithë të dhënat tregojnë të kundërtën. Raportimi në media, informacionet që dalin nga burime të policisë dhe gjithë rrethanat e ngjarjes janë krejt të kundërta me ato që nxjerr Ministri i Brendshëm”, tha Ristani në deklaratën për media.

 “Çdo kush e ka kuptuar sot se Ministri i Brendshëm drejtpërdrejt dhe Kryeministri në distancë, po dezinformojnë qëllimisht që banda kriminale dhe kreu i saj, t’ia hedhin paq, pa asnjë orë burgu.

Partia Demokratike duke e konsideruar qeverinë dhe krerët e Policisë si të përfshirë në këtë histori, në asistencë të vazhdueshme ndaj bandës kriminale, i kërkon Prokurorisë që të zbardhë ngjarjen e të nxjerrë përgjegjësitë. Prokuroria është në thirrje për të vendosur ligjin, e fuqinë e Kushtetutës, të shkelmuar deri tani nga qeveria e Kryeministri për interesa kriminale.

Nëse banda kriminale e kreu i saj për shkak të lidhjeve që ka me Ministrin e Kryeministrin, i shpëton ligjit edhe pas ngjarjes së fundit me përleshje të përgjakshme e me viktima, atëherë kanë rënë të gjitha garancitë për rend e siguri publike në vend.

Nëse kjo ndodh, Emiliano Shullazin nuk duhet ta kërkojmë më në Rrugën e Kavajës, por në zyrat qendrore të qeverisë”,  tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

SHKARKO APP