Rrahja në klasë, MAS pezullon mësuesen në Shkodër

 

Nisur nga një video e transmetuar në media dhe në rrjete sociale, ku një mësuese ushtron dhunë fizike mbi një nxënës gjatë orës së mësimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka sqaruar opinionin se:

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, Ministria e Arsimit nëpërmjet Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër ka nisur grupin e inspektimit për verifikimin e ngjarjes që shfaqet në video.

Pas verifikimit, rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Nevila Duraj, mësuese prej 18 vitesh në profilin gjuhë-letërsi.

Ngjarja ka ndodhur rreth një viti më parë, gjatë orës së gjuhës në klasën e VII-të të shkollës 9 vjeçare “Gjon Doci”, në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Në këto kushte, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër në bashkëpunim me shkollën kanë mbledhur menjëherë Komisionin e Disiplinës për marrjen e masës së pezullimit nga detyra të mësueses Duraj, si edhe për të analizuar shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarjeje.

MAS bën më dije të gjithë opinion publik, se një nga prioritet e saj në drejtim të sigurimit të cilësisë së dijes, përmirësimit të jetës dhe garantimit të formimit të një personaliteti të shëndoshë të fëmijëve shqiptar në institucionet arsimore parauniversitare për vitin e ri shkollor 2015-2016, të jetë zhvillimi i një fushate kombëtare për parandalimin e dhunës në shkolla.

Ky plan veprimi është hartuar paraprakisht me Ministritë e linjës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile, si edhe i është përcjellur të gjitha shkollave të vendit për t’u kthyer në plan kombëtar veprimi “Stop Dhunës në Shkollë”.

 

SHKARKO APP