Sa do të paguhet për sigurimin e detyrueshëm të ndërtesave
Pas tërmeteve “tundet” qeveria, nuk regjistrohen pronat pa sigurim 10-vjeçar. Caktohen çmimet minimale për sigurimin e ndërtesave 100 euro prim për 100 mijë euro dëm
Rreth 10 ditë pas tërmeteve të fuqishme me magnitudë 5.8 dhe 5.6 që goditën Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se Qeveria ka vendosur sigurim të detyrueshëm 10-vjeçar për ndërtuesit. Duhej të ndodhnin tërmetet që qeveria të nxirrte një vendim të parashikuar nga ligji i 5 viteve më parë “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”( Nr. 107/2014, datë 31/07/2014).
Tërmeti ka “shkundur” ministritë dhe AMF për të ridraftuar vendimin që Këshilli i Ministrave e miratoi në mbledhjen e datës 2 tetor. Sipas VKM, “ndërtuesi, përpara dorëzimit të lejes së ndërtimit, duhet të kryejë dhe të dorëzojë kontratën e sigurimit të detyrueshëm për mbulimin e përgjegjësive civile dhe profesionale që rrjedhin nga gabime dhe neglizhenca që çojnë në mosrespektimin e legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit në fuqi, në zbatim të nenit 47, pika 2, të Ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.
Sigurimi i detyrueshëm për ndërtesat, në fakt, ishte parashikuar sipas neneve 42 dhe 47 të Ligjit Nr. 107/2014, datë 31/07/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, por mbetet e paqartë se pse nuk ishte miratuar VKM përkatëse prej më shumë se 5 vitesh kur hyri në fuqi ligji.
Kryeministri Rama ka sqaruar mediat se “qeveria ka marrë vendim me impakt afatgjatë, parashikon masat detyruese për ndërtuesit, për zhvilluesit, investitorët, për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar me blerësit e apartamenteve, kontrata mbulon dëmet ndaj të tretëve që rrjedhin, ku për shkak të terrenit apo defektit në ndërtim, ndërtimi shembet -pjesërisht ose tërësisht, apo paraqet rrezik shembje”./Monitor