
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të samitit që do të vërë në pah rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit. Në një njoftim për shtyp thuhet se Bashkimin Evropian do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian dhe presidentja e Komisionit Evropian.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është përparësia jonë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, deklaroi António Costa, president i Këshillit Evropian.
Samiti do të shërbejë si një mundësi për të riafirmuar angazhimin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të nxitur partnerët të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për avancimin drejt integrimit evropian.
