Sekuestro ndaj pallatit për të cilin akuzohet Gjika, prokuroria verifikon 3 ndërtime të tjera

Prokuroria e Vlorës vendosi sot masën e sekuestros për pallatin 11-katësh për të cilin akuzohet kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, biznesmeni Artur Haxhi dhe drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë Vlorë, Doriana Sulaj.

Organi i akuzës do ta mbajë në fuqi këtë masë deri në përfundim të hetimit. Pallati është ndërtuar pas një leje të falsifikuar të KRRT-së së Vlorës. Po sot prokuroria e Vlorës ka sekuestruar dokumente të tjera që lidhen me 3 leje ndërtimi të firmosura në favor të biznesmenit Haxhi. Burime nga organi i akuzës thonë se ky biznesmen ka ndërtuar edhe tre pallate të tjera në Vlorë, të cilat janë në verifikim e sipër.

Sipas vendimit të KRRT-s Bashkisë së Vlorës në vitin 2010, nuk pranohet kërkesa për ndërtimin e katit të 9 dhe të 10 mbi objektin ekzistues. Në pikën 40 të këtij vendimi të vitit 2010 qartësohet se: “Nuk miratohet ngritje kati i nëntë dhe i dhjetë mbi objektin ekzistues 8-9 kate në lagjen “Hajro Çakërri” me pronar trualli familja Haxhi”.

Hetimi i prokurorisë mësohet se ka nisur 6 muaj më parë. Mesditën e sotme, Shpëtim Gjika është transportuar me autoambulancë në Tiranë për trajtim më të specializuar mjekësor. Ai kaloi dje një parainfarkt, pak orë pas arrestimit nga policia. Akuzat e prokurorisë ndaj tij janë: “Shpërdorim detyre", "Falsifikimi i dokumenteve", "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës" dhe "Ndërtim i paligjshëm të kryera në bashkëpunim”. Por prokuroria e pergjithshme ka urdheruar prokurorite e rretheve qe te jene te prere ne zbatimin e ligjit kushdo te jete zyrtari shtetror qe ka shkelur ligjin.

SHKARKO APP