“Selam Aleikum, baba!”. Del në treg libri i ri i Mustafa Nanos

Ka dalë në treg një libër i ri i Mustafa Nanos. Është një roman. Ai ka shkruar “Hinterlandin e Kuq” që ishte një autobiografi në formë novele, por ky i fundit ëhstë roman në kuptimin klasik të fjalës. Nuk dihet ende se çfarë trajton, por të jep përshtypjen se Muçi vazhdon të provokojë. Qysh në titull: Selam aleikum baba! Në faqen e parë, pa filluar ende romani, ai ka zgjedhur dy vargje të Omar Kajamit, shkencëtarit e poetit pers të shekullit XI-XII, nëpërmjet të cilave u bëhet apel myslimanëve që e kanë për zemër haxhillëkun në Mekë që ta lënë haxhillëkun e të kthejnë vëmendjen nga vajzat. “Një qind Qabera, o haxhinj, nuk vlejnë sa zemra e një çupe”, thuhet pak a shumë në ato vargje, që Nano i ka sjellë të përkthyera në anglisht e në shqip. Në shqip janë të përkthyera nga Fan Noli.
Në kopertinën e mbrapme të librit është një pasazh nga romani, ku flitet për një shi “kuranik”. Po e japim të plotë këtë pasazh:
“Ishte i njëjti shi që binte qysh prej orëve të para të ditës, i dendur, i imët, dhe ishte aq i shtruar sa Adlit për një çast iu duk se nuk mbante mend të kishte jetuar, e nuk besonte se mund të jetonte, ndonjë ditë të jetës së vet pa këtë shi. ‘Si zor të reshtë ky shi, nuk ka pse, është kaq normal, jemi kaq rehat me të’, mendoi. ‘Një shi kuranik’, ia bëri me vete pas pak, pa e vrarë mendjen shumë mbi përpikërinë e shprehjes. Në fakt, një nga gjërat që i kishte mbetur në kujtesë pas leximit të Kuranit për herë të parë ishte shiu, që Zoti e përmend si një nga dhuratat më të bukura që Ai vetë i ka bërë njerëzimit. Nuk i kishte ndodhur që në një libër tjetër të përmendej shiu aq shumë. ‘Sikur Zoti ta kishte zgjedhur Profetin nga Këlni apo Kardifi apo Ch-ja, veç për shiun nuk do flitej’, iu kujtua atij t’i kishte thënë Ben Hoda.”
Adli është personazhi qëndror. Ch është emri artistik i qytetit ku zhvillohen ngjarjet. Është një qytet në Shqipërinë e Mesme. Këtë gjë na e tha Nano në telefon. Por zgjodhi të mos na thoshte më shumë.
Romani “Selam aleikum baba” mund të gjendet në libraritë e kryeqytetit. TEMA

SHKARKO APP