Shkatërrimi i akullnajës në Nepal, kambanë alarmi për ngrohjen globale

Shembja e një akullnaje, që shkaktoi katastrofën mes Nepalit dhe Tibetit, me mbi 600 viktima dhe me mbi 2 500 të zhdukur, është një kambanë alarmi për paqëndrueshmërinë në rritje të zonave të larta malore për shkak të ngrohjes globale, është vlerësimi i publikuar nga revista shkencore ”Nature” në faqen e saj.

Duke mbledhur opinionet e ekspertëve ndërkombëtarë, një prej revistave shkencore më të rëndësishme në botë thekson se ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë më shpesh rrëshqitje dheu dhe përmbytje.

Ende është e vështirë të përcaktohet me saktësi numri i viktimave dhe dëmet e shkaktuara nga rrëshqitja e dheut dhe përmbytja e menjëhershme përgjatë sistemit lumor Bhotekoshi, ku jetojnë dhjetëra mijëra njerëz dhe që është një destinacion i rëndësishëm për turizmin ndërkombëtar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas saj, do të nevojitet ende kohë për të përcaktuar se në çfarë mase ngrohja globale ka ndikuar në këtë shembje të akullnajës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Shkrirja e akullnajave dhe e permafrostit, pra e tokës dhe shkëmbinjve të ngrirë përgjithmonë, të paktën deri tani, në Himalaje, ka gjasa të ketë kontribuar në këtë ngjarje”, shpjegoi Goran Ekstrom, gjeofizikan në Universitetin Columbia në Nju Jork.

“Ngrohja globale po ndikon në rajonet e larta malore në të gjithë botën dhe këto përmbytje katastrofike po bëhen më të shpeshta”, shtoi Alton Byers, gjeograf malor në Universitetin e Kolorados në Boulder.

”Nga analizat e para del gjithnjë e më qartë se një ngjarje e tillë ishte e vështirë të parashikohej”, nënvizon revista.

Në origjinë nuk duket të ketë qenë as një tërmet, as shembja e një liqeni akullnajor dhe nuk janë regjistruar as reshje intensive.

Gjithçka duket se lidhet me një rrëshqitje toke, të ndodhur në një akullnajë, e cila në atë moment nuk ishte studiuar dhe monitoruar në mënyrë të mjaftueshme.

“Ngjarje të tilla nuk mund të parashikohen”, vijoi Byers.

Sipas ekspertëve, shkëputja mund të jetë shkaktuar nga paqëndrueshmëria e permafrostit si pasojë e shkrirjes së tij, mbi të cilin mbështetet akullnaja.

“Ndryshimet në permafrost dobësojnë integritetin strukturor të maleve dhe të akullit, gjë që nga ana tjetër mund të shkaktojë rrëshqitje të mëdha dheu, duke nisur një seri procesesh zinxhir që mund të çojnë në përmbytje dhe shkatërrime në përmasa të mëdha në zonat e poshtme”, vërejti Byers.

Sipas studiuesve, mësimi kryesor që duhet nxjerrë nga kjo katastrofë është përmirësimi i ndërgjegjësimit dhe përgatitjes për emergjencat në një rajon gjithnjë e më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike.

“Shkatërrimi i tmerrshëm goditi kryesisht shtëpi dhe ndërtesa të ndërtuara në fusha përmbytëse, ku ato nuk duhej të ishin ndërtuar kurrë”, theksoi Byers./ a.jor./

ATSH-ANSA

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?