Shkeli zonën e sigurisë me Jet Ski, Policia Kufitare ndëshkon drejtuesin me 300 mijë lekë gjobë
Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare në plazhin e Bunecit, pasi ka hyrë në perimetrin e sigurisë të përcaktuar për pushuesit, duke krijuar rrezik për ta.
Ndërhyrja e policisë u krye pas një raportimi nga pushuesit, të cilët njoftuan për lëvizjen e mjetit lundrues brenda zonës së sigurisë. Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, organizuan menjëherë operacionin për ndalimin e Jet Ski-t.
Mjeti u bllokua, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi me iniciale A. Gj., u ndëshkua me masë administrative prej 300 mijë lekësh të rinj për shkeljen e rregullave të sigurisë në zonën e plazhit.
Policia e Shtetit ka falënderuar pushuesit për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që qytetarët të raportojnë çdo rast që mund të rrezikojë sigurinë e personave në plazhe dhe zona turistike.
Autoritetet theksojnë se reagimi i shpejtë dhe bashkëpunimi me qytetarët janë të rëndësishëm për parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik.
KOHA JONË SONDAZH

