Shmangia e përmbytjeve, nisin punimet në Mengël të Elbasanit
Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, njëherësh edhe sekretar i PS-së, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe kryetarin e qarkut, Bukurosh Stafa inspektuan punimet që për disiplinimin e ujërave të rrëmbyer të përroit të Larit, në Mengël.
“Pamë nga afër punimet në investimin që po bëhet për disiplinimin e ujërave të rrëmbyer të përroit të Larit, në Mengël. Duke qenë se ky përrua kalon në mes të zonës së banuar, jo rrallë herë ai ka shkaktuar përmbytje. Gjithë pjesa poshtë aksit Elbasan-Labinot ka vuajtur nga përmbytjet për shkak të ujërave që shkaktohen nga përrenjtë të cilët derdhen në Shkumbin. Kjo lagje e Menglit e ka vuajtur më së shumti këtë problem pasi 2-3 herë në vit përmbytej nga ky përrua që kalon në mes të lagjes. Përmbytjet kanë shkaktuar edhe problematika në mirëfunksionimin e ujësjellësit të qytetit”, -thotë Balla.
Sipas deputetit socialist, ky është një investim i menjëhershëm i bashkisë dhe ka qenë një prej shqetësimeve e banorëve por që me kryetarin e ri sipas tij, po merr zgjidhje të menjëhershme problemi. “Punët me cilësi janë qëllimi jonë, fokusi ynë kryesor dhe prandaj po dalim t’i inspektojmë të gjitha personalisht, sigurisht me inxhinierët dhe specialistët e bashkisë. Jemi të gjithë në terren për të monitoruar punët publike që po bëhen, për të monitoruar të gjithë investimet që po bën bashkia e Elbasanit dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Me këtë investim zgjidhim edhe një problem shumëvjeçar me përmbytjen në sistemin e pompave të ujësjellësit të qytetit”.
Investimi i bashkisë së Elbasanit konsiston në krijimin e një kanali të betonuar përgjatë gjithë zonës së banuar deri në derdhjen e tij në Shkumbin, si dhe pritave mbrojtëse. Punime të ngjashme po kryhen në disa zona të Labinotit Fushë pasi vetë terreni dhe përshkimi nga përrenjtë e bëjnë një zonë të prekur nga përmbytjet.
KOHA JONË SONDAZH

