Shpallet në kërkim bulqizaku, tenton të përdhunojë maqedonasen në tualet
Një i ri shqiptar është shpallur në kërkim pas një denoncimi në Policinë e Dibrës nga një shtetase maqedonase.
36-vjeçarja me inicialet B.K, banuese në Prilep, në Maqedoni, akuzon të riun shqiptar me inicialet S.N se ka tentuar ta përdhunojë.
Në dëshminë e saj në Policinë e Dibrës në orën 02:30, 36-vjeçarja maqedonase ka deklaruar se ishte duke udhëtuar me vëllain dhe xhaxhain nga Durrësi në drejtim të Bllatës, e shoqëruar nga shtetasit B.B, (shtetas maqedonas) dhe shtetasi shqiptar i identifikuar prej tyre me emrin S.N.
Gjatë udhëtimit ata janë ndalur për të pushuar në një lokal. Kur shtetasja B.K; ka shkuar në tualetin e lokalit, sipas denoncimit, shtetasi S.N. dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Më pas shtetasja B.K, së bashku me familjarët janë nisur në drejtim të Pikës së Kalimit Bllatë, shoqëruar përsëri nga dy shtetasit e sipërpërmendur.
Në vendin e quajtur ‘Rreth Rrotullimi – Bllatë’ Maqellarë, shtetasi S.N. u ka dalë përpara në rrugë dhe u ka marrë shumën prej 100 eurosh.
Dyshohet se ai ua ka marrë këtë shumë, si shpërblim për shoqërimin nga Durrësi në Bllatë. Bazuar në këto deklarime, specialistët e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër kanë nisur punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Sakaq, policia po vijon punën për identifikimin dhe shoqërimin e personit të denoncuar, pasi gjeneralitetet me të cilat u është prezantuar shtetasve maqedonas janë të rreme.

