Shqipëri-Kosovë, kontrolli në pikat kufitare i pamundur
Sezoni turistik veror është në pikun e tij e udhëtimi në Shqipëri gjatë fundjavave dhe muajit gusht ka qenë për thuajse një dekadë zgjedhje e shqiptarëve të Kosovës. Fluksi i madh i qytetarëve që hyjnë në Shqipëri është i madh ndërsa kontrollet në kuadër të koronavirusit bëhen edhe më të vështira. Këtë e konfirmon dhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti.
”Nëse kemi çdo fundjavë 20-30 mijë qytetarë që shkojnë në bregdetin shqiptar në fundjavë, është a paimagjinueshme të kontrollohet secili kontakt i tyre dhe të zbulohet nëse kanë pasur kontakte me persona të infektuar. Tashmë është marrë një vendim që ekipet e kontrollit të tërhiqen sepse është e palogjikshme të kontrollohen njerëzit në kufi”.
Hoti thekson gjithashtu se duhet të marrin fund akuzat për përcjellje të virusit, por të respektohen më shumë masat. ”Nuk mund të akuzojmë qytetarët që shkojnë në Shqipëri se po e sjell virusin, por e rëndësishme është që atje ku shkojnë të respektojnë masat”. Duket se indiferenca e qytetarëve ndaj armikut të padukshëm nuk ka kufi.