Shqipëria në krye të sigurisë kibernetike, Rama sfidon kritikët: Tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas lajmit për renditjen e Shqipërisë në vendin e parë në National Cyber Security Index, me 98.33 pikë. Teksa ka një mesazh për kritikët, Rama thekson se renditja bazohet në një metodologji ndërkombëtare dhe merr në vlerësim kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemet e parandalimit. “Renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll”, shkruan Rama.
Postimi i plotë
Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash. Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.
Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale. Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.
Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike. Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund.
Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova.
KOHA JONË SONDAZH


