Shqipëria në protestë, Majlinda Dhuka apel për dialog: Bashkimi Europian është destinacioni ynë
Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, ka përcjellë një mesazh për rëndësinë e dialogut, respektimit të institucioneve dhe mbrojtjes së vlerave europiane, në një moment kur zëri i qytetarëve dhe protestat kërkojnë reflektim të përgjegjshëm mbi të ardhmen e vendit.
Në mesazhin e saj, Dhuka thekson se Bashkimi Europian mbetet destinacioni i Shqipërisë dhe se përkatësia në familjen europiane duhet të dëshmohet çdo ditë përmes vlerave, qëndrimeve dhe veprimeve konkrete.
Ajo nënvizon se protestat dhe zëri i qytetarëve duhet të shërbejnë si një mundësi për reflektim mbi Shqipërinë europiane që synohet të ndërtohet, ku qytetarët dëgjohen, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës qëndron mbi çdo interes.
”Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh”, shprehet Dhuka në mesazhin e saj.
Mesazhi i plotë
Bashkimi Europian është destinacioni ynë-Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot!
Protesta dhe zëri i qytetarëve na kërkojnë të reflektojmë me përgjegjshmëri të lartë mbi Shqipërinë europiane që duam e po ndërtojmë me atdhetari, vendin ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës është mbi çdo interes.
Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh.
Paqja nuk është heshtje, as urtësia indiferencë. Ato janë forca për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe Shqipërinë.
Shqipëria i përket familjes europiane nga aspirata e të gjithë shqiptarëve, si dhe nga vlerat me të cilat zgjedh të jetojë çdo ditë.
Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës europiane mbi 30-vjeçare! Ky është një moment historik për të gjithë!
Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e DIALOGUT dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë – Bashkimit Europian!

