Shqipëria në “top 10” shtetet me çmimin më të lartë të naftës në botë
Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës. Në pikat e karburanteve një litër naftë kushton mesatarisht 170 lekë, me kursin aktual të këmbimit 2.09 dollarë.
Në Ballkanin Perëndimor, në vendin e dytë renditet Serbia me një litër naftë që shitet për rreth 1.92 dollarë në pikat e karburanteve. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, lënda djegëse në Shqipëri kushton gati 2-fish më shumë.
“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë”, janë shprehur disa drejtues automjetesh.
Në Evropë, çmim më të shtrenjtë të naftës e ka Zvicra, Lihtenshtejni, Danimarka dhe Islanda. Shqipëria, e renditur e pesta ndërkohë le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.56 dollarë.
Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është e përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria.
Në bursë, çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton, nga 750 që ishte një muaj më parë. Po ashtu, dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.
“I bëjmë rritje kryeministrit të hapi rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larat në vitet e fundit”, u shprehën disa drejtues automjetesh.
KOHA JONË SONDAZH

