Shqipëria nis mandatin si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB, Xhaçka: Mundësi për të lënë gjurmë
1 janari 2022 nisi mbarë për Shqipërinë, pasi shënon edhe fillimin e mandatit të vendit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria do të ulet si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Europës dhe e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka shkruan në facebook se për herë të parë, 66 vjet pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria ulet nga sot në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. “Një përgjegjësi por edhe një mundësi e madhe për vendin tonë për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare”.
Vendi ynë është zgjedhur për herë të parë anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023. Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.
Shqipëria u pranua anëtare e OKB-së më 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat 2-vjeçar.
Prioritetet kryesore të Shqipërisë:
– Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme;
– Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar;
– Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit;
– Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale;
– Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit.