Shqipëria nuk do monitorohet më për pastrim parash

Republika e Shqipërisë nuk do të jetë më pjesë e grupit të vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim të terrorizmit.

Kështu deklarohet në përfundimet e raportit të grupit Onsite Team të ICRG. Raporti, i cili është diskutuar dhe miratuar në seancën e radhës të ICRG në Paris, në datat 24-25 shkurt, pasqyron rezultatet në përfundim të një pune gati një-vjeçare. Shqipëria është vendi që ka plotësuar të gjitha mangësitë e raportuara në vite nga FATF (Financial Action Task Force), që monitoron zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në botë. Shtetet anëtare të këtij grupi kanë vlerësuar përpjekjet e bëra nga Shqipëria në këtë drejtim.

Sipas raportit, Shqipëria ka adresuar artikujt në planin e veprimit dhe se “zbatimi ka filluar dhe është duke u mbështetur nga qeveria”, përfaqësuesit e së cilës, sipas të njëjtit burim, “treguan një angazhim të fortë për detyrat e tyre në sektorin ligjor dhe financiar, duke reflektuar njohuri të thella dhe vetëdije të fortë në zbatim të detyrave të lëna”.

Vlerësimi është dhënë nga Guida Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, Task Forca për Aksionin Financiar, që janë të dyja organizata botërore të cilat bëjnë analizën e shteteve në këtë drejtim.

Me marrjen e këtij vendimi, Shqipëria nuk do të bëjë më pjesë në grupin e vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim terrorizmi./

SHKARKO APP