Shqipëria, vend me rrezikshmëri të lartë për shëndetin

 

Të sëmuresh në Shqipëri është me rrezik të lartë. Një studim i International SOS, një organizatë e specializuar në shërbimin shëndetësor dhe ndihmën e shpejtë për klientët e saj që udhëtojnë për arsye biznesi në vende të ndryshme të botës, e klasifikon vendin tonë në të njëjtën kategori me Modavinë apo zonat e luftës në Ukrainë. Në të njëjtën listë bëjnë pjesë dhe Kosova, Maqedonia, Bosnje – Hercegovina e Bjellorusia.

 

International SOS i përllogarit rreziqet që paraqet sistemi shëndetësor në bazë të nivelit të kërcënimit të sëmundjeve infektive, të higjenës, shpeshtësinë e aksidenteve dhe në disponueshmërinë e cilësinë e infrastrukturës lokale shëndetësore.

 

Rreziqet kanë të bëjnë edhe me vështirësinë për të gjetur spitale adekuate e mjekë të mirë, qendra shëndetësore që ofrojnë shërbimin e duhur mjekësor në zonat rurale apo me vështirësinë për të gjetur ilaçet e duhura.

Në studimin e botuar në Washinton Post thuhet se pjesa më e madhe e vendeve të Europës Juglindore bëjnë pjesë me nivel të mesëm apo të lartë të rrezikut.

“Çuditërisht Greqia konsiderohet  një nga destinacione më të sigurta për të udhëtuar, përsa i përket sistemit shëndetësor, pavarësisht rënies me 40 % të financimit nga buxheti për spitalet shtetërore prej vitit 2011 dhe mungesave të shpeshta në furnizimet e pajisjeve mjekësore gjatë vitit 2013”, thuhet në studim.

Megjithatë, sipas Washtington Post, klasifikimi i disa vendeve ngre pikëpyetje, si në rastin e Kubës, një vend që ka mjekë të njohur botërisht, por që është klasifikuar në kategorinë e shteteve me rrezik të lartë.

Brazili, Rusia, India dhe Kina renditen në listën e vendeve që po zhvillohen me shpejtësi. Në këto vende, studimi tregon shërbim cilësor shëndetësor në qytetet e mëdha, por jo në zonat rurale.

Përsa i përket perëndimit, pjesa më e madhe e vendeve renditen tek zonat me rrezik të ulët. Shërbimi më i mirë, siç e tregojnë hartat e studimit, ofrohet në të gjithë Europën perëndimore, në SHBA, Kanada e Australi.

SHKARKO APP