Shqiptarët, në varfëri energjetike

Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë në Europë për numrin e familjeve në varfëri energjetike. Ky vrojtim përpiluar nga faqja e njohur Statista, bazohet mbi të dhënat e Eurostat dhe tregon se 35.8% e familjeve shqiptare gjatë vitit 2021 nuk kanë aksesin e duhur në produktet energjetike. Kjo do të thotë se gati 1 në 3 familje shqiptare nuk kanë mundësi të përdorin naftën, gazin apo energjinë elektrike për transport, ndriçim apo ngrohje gjatë dimrit.

Shqipëria ia tejkalon edhe vendeve të rajonit, ndërsa lë pas edhe Turqinë apo Greqinë. Mesatarja e Bashkimit Europian për numrin e familjeve që ndodhen në varfëri energjetike është 6.9%, ndërsa Shqipëria është 30% mbi mesataren. Sipas përcaktimit të Bashkimit Europian varfëria energjetike ndodh edhe kur fatura e energjisë është në një përqindje mjaft të lartë mbi të ardhurat e familjes, gjë e cila i detyron ata të reduktojnë konsumin në një shkallë që ndikon negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Ndërsa qeveria ka premtuar sigurimin e energjisë elektrike gjatë dimrit, shihet se edhe me çmimin aktual prej 9.5 lekësh që nga 2015, vendi ynë nuk e ka përmirësuar indikatorin, ndërsa shtrenjtimi i energjisë do t’i rëndonte edhe më tej konsumatorët, teksa Eurostat shprehet se Shqipëria është e para në rajon për çmimin më të shtrenjtë.

Sekretariati i Energjisë, në një studim të gushtit 2022 tregon se Shqipëria subvencionon më pak se të gjitha vendet e rajonit familjet në varfëri energjetike. Kështu vetëm 104 euro për familje është subvencioni i vendit tonë, ndërsa duke filluar nga Kosova tek vendet e tjera, subvencioni arrin 123 – 178 euro për familje.

Së fundmi Enti rregullator i energjisë noterozoi vendimin e qeverisë për të shtyrë rritjen e çmimit të energjisë për familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat. Por edhe kaq sa është çmimi, shqiptarët blejnë më shtrenjtë energjisë se të gjithë të tjerët në rajon. Qeveria po bën një lojë ngriva shkriva me qytetarët në lidhje me fashën 800 kilovat në një kohë kur Shqiptarët e varfër nuk kanë nevoje për kaq shumë presion dhe lojë nervash kur shumica mezi nxjerrin bukën e gojës. Të dhënat e Bankës Botërore flasin se varfëria mes shqiptarëve është në rritje dhe se një pjesë e mirë e shtresës së mesme po rrëshkasin drejt varfërisë. /TCH/

SHKARKO APP