Shtëmbari: Kultivimi i kanabisit është ulur me 17 herë. Ja zonat me risk
Që prej janarit të 2017 dhe deri tani në korrik kultivimi i kanabisit është ulur me 17 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë fakt e bëri të qartë drejtori për krimet në Policinë e Shtetit Josif Shtëmbari në studion e lajmeve të Ora News.
Shtëmbari: Për këtë priudhë, nga 1 janari deri ditën e djeshme kemi një rezultat të tillë që të ulën deri në 17 herë rastet e kultivimit të bimëve narkotike në krahasim me një vit më parë. Është një punë e organizuar nga të gjithë drejtuesit e strukturave të policisë që të monitorohet lufta kundër kultivimit 24 orë në 24. Është një punë kolosale e të gjitha strukturave që me mënyrën e organizimit kanë bërë ndarje të territorit ku në cdo pjesë të territorit kanë lënë një oficer policie përgjegjës, një drejtues të strukturave vendore.
Shtëmbari tha se do të ketë penalitete të ashpra për të gjithë shkelësit e ligjit.
Shtëmbari: Do ketë penalitete dhe do të ketë luftë të ashpër dhe përballje me ligjin në rast se konstatohet dhe fakti që numri i rasteve që këtë vit është 139 në krahasim me 389 të një viti më parë duket qartë i gjithë komuniteti është sensibilizuar dhe nuk pajtohet më me rastet e kultivimit të lëndëve narkotike.
Shtëmbari tha se është kontrolluar 70% e territorit në lidhje me objektet ku mund të jetë magazinuar lënda narkotike e kultivuar një vit më parë.
Shtëmbari: Edhe për këtë sasi që është prodhur vitin e kaluar në bazë të një plan veprimi që është miratuar nga drejtori i Policisë së Shtetit janë përcaktuar detyra të qarta që çdo strukturë vendore e policisë duke filluar nga komisariatet, drejtoritë vendore detyrohet të gjithë punonjësit e policisë që të kontrollojnë të gjitha objektet ish-reparte ushtarake, tunele, stane, banesa, etj. Deri tani rreth 70% e territorit është i kontrolluar në lidhje me këto objekte. Policia ka kapur edhe raste që elementë të inkriminuar i kanë përdorur këto objekte dhe autorët janë proceduar sipas ligjit.
Janë kryer 6 fluturime nga ajri
Shtëmbari: Policia e Shtetit ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me palën italiane për monitorimin nga ajri me aparatura modern. Sivjet janë shtuar orët e fluturimit nga pala italiane. Duke kontrolluar pjesë të territorit sipas fashove të fluturimit, duke përcaktuar zonat me risk të lartë, sidomos ato që kanë qenë problematike vitin e kaluar. Deri tani janë zhvilluar 6 fluturime duke dhënë 5 raporte. Në të 5 raportet që i janë paraqitur drejtorit të policisë rezultatet kanë qenë zero.
Zonat me risk për kultivimin e kanabisit
Shtëmbari: Si zona me risk ne kemi të evidentuar qarkun e Durrësit për nga numri i rasteve me 24%, qarkun e Shkodrës, të Vlorës me 16%, të Lezhës me 6% dhe disa zona të tjera si Tirana me 5% e kështu me radhë.

