Shtohen shërbimet në spitalin memorial të Fierit, Manastrirliu: Aplikohet për herë të parë Autonomia Spitalore

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije nga Fieri se do të shtohen shërbimet që qytetarët do të mund të marrin në Spitalin Memorial. Ky institucion do të jetë i pari në të cilin do të aplikohet Autonomia Spitalote pas miratimit të kuadrit të ri ligjor.

”Spitali Memorial Fier do të jetë edhe spitali ku do të aplikohet për herë të parë Autonomia Spitalore, ndaj ne kemi hedhur bazat e mira të punës edhe për faktin që ky spital ka një ekip menaxherësh edhe nga Turqia. Jemi duke punuar për protokollet e punës, protokollet standarte, pra po bëhemi gati që me miratimin e ligjit të ri për shërbimin spitalor, ku brenda këtij kuadri ligjor të ri që duam të miratojmë do të jetë gjithashtu edhe hapësira për të përfshirë Autonominë Spitalore, si një model të ri i cili fillon me spitalin Memorial Fier dhe më pas do të shtrihet në shumë spitale të tjera”.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, synohet që në spitalin Memorial të Fierit të integrohet shërbimi i hemodinamikës 24 orë për rajonin e jugut dhe shërbime të tjera të reja për qytetarët. ”Janë 17 shërbime mjekësore që aktualisht funksionojnë dhe objektivi ynë është të shtrihemi edhe në shërbime të tjera të reja. Shërbimi okulistik, shërbimi i ortopedisë që duhet zhvilluar dhe gjithashtu edhe hemodinamika 24 orë, janë objektivat e afërt që ne duam të realizojmë brenda 6 mujorit të parë të këtij viti”.

Aktualisht stafi i Spitalit Memorial të Fierit është zgjeruar me 34 infermierë të rinj të punësuar nga portali “Infermierë për Shqipërinë”, ndërsa janë mbi 100 mjekë turq që kanë ofruar shërbim në këtë spital gjatë 8 muajve të funksionimit të tij.

‘Në gjithë sistemin tonë shëndetësor vetëm përgjatë vitit të shkuar janë punësuar më shumë se 1200 infermierë përmes portalit Infermierë për Shqipërinë dhe më shumë se 320 mjekë. Me të mirët duhet të shërbejnë për qytetarët tanë dhe më të mirët zgjidhen vetëm përmes portaleve transparente dhe meritokracisë”. Manastirliu tha se ky spital me miratimin e ligjit të ri të kujdesit spitalor, do të fillojë menjëherë implementimin e autonomisë spitalore.

SHKARKO APP