Shtyrja e kredive, Bankat ndjekin procedura të thjeshtuara

Individët dhe bizneset që duan të kërkojnë shtyrje të kësteve të kredive mund ta bëjnë këtë me procedura të thjeshtuara dhe në distancë. Shumica e bankave njoftuan dje se aplikimet për shtyrje mund të bëhen edhe përmes postës elektronike ose telefonit. Bankat gjithashtu saktësuan se nuk do të jetë i nevojshëm amendimi i kontratave ekzistuese, çka shmang nevojën që klienti të shkojë fizikisht në bankë për të firmosur.

Ky vendim erdhi në vijim të shtrëngimit të mëtejshëm të kufizimeve për lëvizjen nga qeveria shqiptare. Që nga dita e enjte, lëvizja e qytetarëve është e lejuar vetëm në dy intervale gjatë mëngjesit dhe pasdites, çka vështirëson edhe më shumë ofrimin dhe marrjen e shërbimeve të nevojshme, përfshi ato bankare. Që nga java e kaluar, bankat kishin kufizuar orarin e punës dhe numrin e degëve operative, për shkak të situatës së krijuar nga përahapja e virusit Covid 19.

Në njoftimet e tyre, bankat angazhohen të kthejnë një përgjigje brenda tre ditëve, sipas urdhërit të firmosur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe nga Kryeministri.

Klientët e prekur nga pasojat e situatës së krijuar nga koronavirusi mund të përfitojnë shtyrje të kësteve deri në tre muaj, ndërsa theksohet se klientët të cilët nuk janë prekur nga kjo situatë duhet të vazhdojnë të shlyejnë normalisht këstet. Gjatë kësaj periudhe, bankat nuk do të llogarisin penalitete për klientët. Ristrukturimi i kredive do të mbështetet edhe nga ndryshimet në rregulloret përkatëse për administrimin e rrezikut të kredisë për të gjitha institucionet financiare të kredidhënies, që u miratuan nga Banka e Shqipërisë javën e kaluar. Ndryshimet parashikojnë që deri në 31 maj bankat nuk do të jenë të detyruara të riklasifikojnë dhe të provigjionojnë kreditë që do të ristrukturohen gjatë kësja periudhe. Kjo i çliron bankat nga kostot dhe lehtëson procesin e shtyrjes së përkohshme të kësteve.

/SCAN

SHKARKO APP