Si u organizua atentati ndaj mikut të Shullazit

Kamerat e sigurisë së disa bizneseve dhe telefoni celular i vrasësit Artur Baze, zbuluan bashkëpunëtorët e tij në atentatin ndaj Pajtim Serjanit, mbrëmjen e 5 janarit në rrugën “Islam Alla” në kryeqytet.

Sipas prokurorisë, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe zbardhjes së tabulateve telefonike të thirrjeve hyrëse e dalëse të telefonit të Bazes, janë zbuluar dhe identifikuar dy kushërinjte Aurel dhe Amarildo Hoxhallari.

Me identifikimin e tyre, policia mbrëmjen e së shtunës, me urdhër të prokurorisë, ka prangosur dy të rinjte me banim në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Hetuesit dyshojnë, se kushërinjtë Hoxhallari kanë ndihmuar Bazen, për t’i gjetur armën e krimit, për ta lëvizur nëpër rrugët e kryeqytetit, duke e shoqëruar nga banesa e tij, deri në vendin, ku tentoi të ekzekutojë nga afër Pajtim Serjanin.

Mësohet, se nga kamerat e sigurisë, duket qartë Aurel Hoxhallari i cili e shoqëron me makinë Bazen, nga vendi i qëndrimit pranë rrugës “Islam Alla”.

Aty atentatori i drejtohet tavolinës, ku ndodhej Serjani me 3 shokët e tij. Ndërsa në krahun tjetër të rrugës, Artur Bazen e priste i arrestuari tjetër Amarildo Hoxhallari.

Këto dyshime, sipas hetuesve, janë përforcuar edhe nga bisedat e shpeshta mes të arrestuarve dhe atentatorit Baze, që u vra nga polici Roland Meta, në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes.

Sipas prokurorisë së kryeqytetit, mbi bazën e provave paraprake rezulton, se atentati me armë në rrugën “Islam Alla” mbrëmjen e 5 janarit, ka qenë i mirë organizuar.

Referuar këtyre provave, është arritur në konkluzionin, se vrasësi Artur Baze dhe dy kushërinjte e arrestuar Hoxhallari, janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe për këtë fakt, dosja i ka kaluar për hetime të metejshme Prokurorisë për Krime të Rënda.

Ky institucion, do të vijoje hetimet për këtë ngjarje, për të provuar, nëse vrasësi Baze dhe kushërinjte Hoxhallari janë përfshirë edhe në akte te tjera.

Mbrëmjen e 5 janarit në rrugën “Islam Alla” u tentua të vritet me armë Pajtim Serjani, por pas shkrepjes së plumbit të parë, Artur Bazes, i është bllokuar pistoleta, duke bërë që të ndërhyjë efektivin e policisë, Roland Meta.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, polici Meta, ka arritur të qëlloje me dy plumba Bazen, duke e lënë të vdekur, ndërsa ai vetë ka marrë një plumb në bark. Ndërsa objektivi i atentatit, Serjani, u plagos me një plumb në këmbë.

SHKARKO APP