Sigurimi i makinave, sistemi bonus-malus jo i detyrueshëm

Pas pesë vitesh përpjekje për të aplikuar sistemin bonus-malus në sigurimin e automjeteve, në parlament është dorëzuar projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Drafti parashikon për herë të parë mundësinë e aplikimit të sistemit bonus-malus. Por ndryshe nga sa ishte deklaruar më herët, ai nuk do të jetë i detyrueshëm dhe aplikimi i tij në projektligj parashikohet si e drejtë e kompanive të sigurimit.

Sistemi bonus-malus parashikon që kompanitë të përcaktojnë primin e sigurimit ose ndryshe çmimin e policës bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme mund të paguajnë prim sigurimi më të lartë, ndërsa ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme prim më të ulët.

Projektligji parashikon që afati për trajtimin e dëmeve ndaj personave nga kompania e sigurimit do të jetë 90 ditë, ndërsa afati i dëmtimeve në pronë do të jetë 30 ditë. Për dëmet në vlerë të vogël, deri në 100 mijë lekë është përcaktuar një afat më i shkurtër prej 14 ditësh.

Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit.

SHKARKO APP